Avdyli i përgjigjet Gërvallës: S’e ka kuptuar dorëheqjen time nga Guxo

Deputeti Haxhi Avdyli ka reaguar ndaj deklaratave të ministres Donika Gërvalla-Schwarz, duke thënë se ajo e ka keqinterpretuar dorëheqjen e tij nga strukturat e partisë Guxo.

Sipas Avdylit, largimi nga funksionet partiake nuk ndikon në angazhimin e tij si deputet, pasi ai do të vazhdojë të jetë pjesë e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje deri në përfundim të mandatit.

Ai theksoi se në Kuvendin e Kosovës ekziston vetëm grupi parlamentar i Vetëvendosjes dhe jo një strukturë e përbashkët VV–Guxo. Sipas tij, pjesëmarrja në këtë grup nuk kushtëzohet domosdoshmërisht me anëtarësi partiake, duke kujtuar se edhe në të kaluarën ka pasur deputetë që kanë qenë pjesë e grupeve parlamentare pa qenë anëtarë formalë të partive përkatëse.

Avdyli rikujtoi gjithashtu zhvillimet e vitit 2020, kur së bashku me presidenten Vjosa Osmani votuan kundër rrëzimit të Qeverisë Kurti I dhe më pas nuk votuan Qeverinë Hoti, ndonëse mbetën pjesë e grupit parlamentar të LDK-së deri në zgjedhjet e vitit 2021.

Në reagimin e tij, ai kritikoi Gërvallën edhe për mungesë reagimi ndaj, siç i quajti ai, sulmeve dhe gjuhës së papranueshme të drejtuar ndaj Osmanit. Sipas tij, një njoftim zyrtar nga grupi parlamentar do të mjaftonte për çdo vendim lidhur me përjashtimin nga takimet, por ai nuk beson se një gjë e tillë do të ndodhë.

Duke folur për gjendjen brenda Guxo-s, Avdyli ngriti shqetësime për funksionimin e brendshëm të partisë, duke përmendur mungesë kuorumi në strukturat drejtuese, mbyllje zyrash dhe largim të aktivistëve. Ai paralajmëroi se këto zhvillime mund ta dobësojnë projektin politik, megjithatë u shpreh se ideja e Guxo-s do të vazhdojë të ekzistojë. /RTKlive

Read Previous

Nis zbatimi i Ligjit për të Huajt dhe Ligjit për Automjete

Read Next

Sylvinho të shtunën e shpall listën për ndeshjet e plejofit