Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Takohemi pas vendimit të Kushtetueses

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë të ditur se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës për takim të liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrit të vendit, Albin Kurtit. Por, thotë se kësaj ftese do t’i përgjigjet në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e legjislaturës së dhjetë të Kuvendit.

“Kam falënderuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese. Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Kryetari i LDK-së thotë se duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund.

“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka shtuar Abdixhiku.

Kryeministri Albin Kurti sot bëri me dije se do t’i ftojë në takim liderët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit, pasi tha se vendit nuk i duhen zgjedhje tjera të jashtëzakonshme. /RTKlive

Read Previous

Banorëve të “banesave kineze” parkingjet po u’a zënë banorët e lagjeve tjera

Read Next

Mos blini produkte serbe!