Kuvendi i Shqipërisë sulmohet nga hakerët e mbështetur nga Irani

Kuvendi i Shqipërisë është targetuar nga sulmet kibernetike prej hakerëve të quajtur “Homeland Justice”, të cilët janë të mbështetur nga Irani, ka raportuar “A2CNN”.

Raportohet se ata kanë sulmuar postën elektronike të Parlamentit. 

“AKSK-ja ka ngritur grupin e punës për analizimin e rastit dhe ekipet ndodhen në terren duke kryer analizën teknike, si dhe duke ndërmarrë hapat e nevojshëm lidhur me këtë situatë. Informacione të mëtejshme do të bëhen publike pas përfundimit të vlerësimit teknik”, thuhet në njoftimin e Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike.

Në rrjetin social Telegram, hakerët e mbështetur nga Irani kanë publikuar përmbajtje nga e-mail adresat e Belinda Ballukut, Damian Gjiknurit, Gezmend Bardhit dhe Edi Palokës. 

Për herë të fundit, hakerët kishin sulmuar duke nxjerrë jashtë funksionit faqet web të Bashkisë Tiranë dhe Institutit të Statistikave.

Në vitin 2022, disa grupe të sofistikuara hakerësh mbështetur nga shteti i Iranit sulmuan shërbimet online në Shqipëri. Këto u bënë shkak që qeveria shqiptare të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me shtetin e Iranit, duke dëbuar përfaqësinë diplomatike që ndodhej në Shqipëri, si përgjigje ndaj sulmit kibernetik. /koha.net

Read Previous

Von der Leyen: 10 ditë luftë i kushtuan BE-së 3 miliardë euro për naftë dhe gaz

Read Next

Joseph: Rizgjedhja e Vjosa Osmanit në interes të Kosovës, ndërtoi marrëdhënien më të ngushtë me Administratën Trump