Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Hillary Clinton në dëshminë e saj në komitet të Kongresit që po heton lidhjet e saj të supozuara me Jeffrey Epstein, i akuzoi republikanët se po zhvillojnë një “gjueti peshku” për të mbuluar dhe shmangur vëmendjen nga veprimet e Donald Trump.
Në deklaratën e saj hyrëse, ish-sekretarja e shtetit e cilësoi seancën si “teatër politik partiak” dhe “fyerje për popullin amerikan”, duke përsëritur se nuk e kishte takuar kurrë Epsteinin, financierin rafikantin seksual të dënuar që vdiq në vitin 2019. Ajo tha se ishte detyruar të dëshmonte për të shpërqendruar vëmendjen nga Trump.
Dëshmia e saj shënoi fillimin e një seance dyditore që përfshin edhe dëshminë e bashkëshortit të saj, Bill Clinton. Seanca u mbajt pranë shtëpisë së çiftit në Chappaqua, New York pasi ata ranë dakord të paraqiten pas një thirrjeje zyrtare nga kryetari republikan i komitetit, James Comer.
Clinton e akuzoi komitetin se po mbron “një parti politike dhe një zyrtar publik” në vend që të kërkojë të vërtetën për viktimat e trafikimit seksual. Ajo kërkoi që nëse komiteti është serioz, duhet ta pyesë drejtpërdrejt Trumpin nën betim për përmendjet e tij në dosjet e Epsteinit.
Seanca u pezullua përkohësisht pasi një foto e Clintonit duke dëshmuar u publikua në rrjetet sociale nga influencuesi pro-MAGA Benny Johnson. U raportua se fotoja ishte bërë nga kongresistja republikane Lauren Boebert, gjë që shkel rregullat për seancat me dyer të mbyllura. Demokratët e quajtën incidentin “të papranueshëm”.
Pas dëshmisë, Clinton tha se do të kishte preferuar që seanca të ishte publike dhe i cilësoi pyetjet si të përsëritura dhe shpesh jashtë teme, duke përmendur pyetje për UFO-t dhe teorinë konspirative Pizzagate.
Demokrati kryesor në komitet, Robert Garcia, tha se Clinton iu përgjigj çdo pyetjeje dhe kërkoi publikimin e menjëhershëm të transkripteve. Ai shtoi se edhe Trump duhet të dëshmojë, sidomos pas pretendimeve se disa dokumente lidhur me akuza ndaj tij nuk janë përfshirë në materialet e publikuara.
Republikanët, përfshirë Comerin, theksuan se askush nuk po i akuzon aktualisht Clintonët për shkelje, por se komiteti ka shumë pyetje rreth lidhjeve të tyre me Epsteinin dhe bashkëpunëtoren e tij, Ghislaine Maxwell.
Në të kaluarën, të dy Clintonët janë përballur me hetime të udhëhequra nga republikanët. Hillary Clinton dëshmoi për nëntë orë në vitin 2015 lidhur me sulmin në Bengazi, ndërsa Bill Clinton dha dëshmi nën betim në vitin 1998 në hetimet që përfshinin Paula Jones dhe Monica Lewinsky.
Bill Clinton ka pranuar se ka udhëtuar katër herë me avionin privat të Epsteinit, të quajtur “Lolita Express”, dhe shfaqet në disa fotografi në dosje, por thotë se ndërpreu marrëdhëniet me të në vitin 2006 kur krimet e financierit u bënë të njohura. Ai ka mohuar çdo shkelje dhe ka kërkuar publikimin e plotë të të gjitha dosjeve që lidhen me Epsteinin./Reporteri.net/