Kusari nis procedurat për Projektligjin për çmimet tavan: Shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik

Pas miratimit të agjendës legjislative në mbledhjen e Qeverisë, Ministrja e Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari, ka njoftuar se ka nënshkruar inicimin e procedurës për Projektligjin për çmimet tavan.

Sipas Kusarit, ky është një hap i domosdoshëm për të mbrojtur konsumatorin dhe për të garantuar stabilitet në treg, shkruan Reporteri.net.

Ajo ka thënë se në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik.

“Ky projektligj krijon bazën ligjore për ndërhyrje të shpejtë dhe të drejtë kur përballemi me: rritje të papritura të çmimeve, mungesë të produkteve themelore dhe çrregullime në furnizim”, ka shkruar Kusari.

Ajo ka thënë se qëllimi nuk është ndërhyrja arbitrare në treg, por mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi dhe spekulimi në kohë krize.

“Masat janë të përkohshme, proporcionale dhe të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit ekonomik. Duke adresuar edhe vërejtjet e Gjykatës Kushtetuese nga e kaluara, po ndërtojmë një kornizë më të fortë, më të qëndrueshme dhe ligjërisht solide. Në një periudhë kur inflacioni ka prekur çdo familje, shteti duhet të jetë garant i balancës mes tregut të lirë dhe interesit publik”, ka shkruar Kusari.

Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e qeverisë tha se prioritet do të ketë Projektligji për çmimet tavan si dhe ai për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme./Reporteri.net

Read Previous

KOK-u shpall sot sportistët më të mirë të vitit

Read Next

Kurti themelon Zyrë për Ekspertizë: Do të mbikëqyrë projektet kapitale dhe monitorojë kontratat e nënshkruara