SHBA dorëzojnë komandat kryesore të NATO-s te Evropa, sipas kërkesës së Trump

Shtetet e Bashkuara do të transferojnë dy nga postet kryesore komanduese të NATO-s, në Napoli dhe Norfolk, te oficerët evropianë, ka njoftuar një burim ushtarak për Reuters të hënën.

Ky hap vjen në përputhje me kërkesat e presidentit Donald Trump, që ka shtuar presion mbi shtetet evropiane për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre.

Administrata e tij ka kërkuar që aleanca ushtarake, që ka qenë kryesisht nën udhëheqjen e SHBA-së, të transformohet në një “NATO të udhëhequr nga Evropa”.

Si pjesë e riorganizimit të komandës, oficerët evropianë do të marrin përsipër Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s në Napoli dhe Komandën e Forcave të Përbashkëta Norfolk, të dyja aktualisht të udhëhequra nga admiralë amerikanë, tha burimi, duke folur në kushte anonimiteti.

Megjithatë, SHBA-të do të marrin frenat e tre komandave pak më poshtë në hierarki, por që mbajnë përgjegjësi të konsiderueshme për operacionet – Komanda Ajrore Aleate, Komanda Detare Aleate dhe Komanda Tokësore Aleate, thanë burimi ushtarak dhe një person tjetër i njohur me çështjen.

I pyetur në lidhje me ndryshimet e planifikuara, një zyrtar i NATO-s tha: “Aleatët kanë rënë dakord për një shpërndarje të re të përgjegjësisë së oficerëve të lartë në të gjithë Strukturën e Komandës së NATO-s, në të cilën Aleatët evropianë, përfshirë anëtarët më të rinj të NATO-s, do të luajnë një rol më të spikatur në udhëheqjen ushtarake të Aleancës”.

Zyrtari tha se vendimi lidhej me “planifikimin për rotacionet e ardhshme” dhe më shumë detaje do të jepen në kohën e duhur.

/GazetaSinjali/

Read Previous

SBASHK mbështet grevën dy-orëshe në “Pavarësia”: Dënojmë sulmin ndaj mësimdhënësit

Read Next

Shënohet 19-vjetori i demonstratës së 10 shkurtit 2007