​Shqipëria, Gjermania e Zvicra në krye të vizitorëve të huaj në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e hotelerisë për muajin dhjetor 2025, të cilat tregojnë rritje të numrit të vizitorëve në hotele krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, në dhjetor 2025 hotelet në Kosovë janë vizituar nga gjithsej 68 mijë e 293 persona, prej të cilëve 27 mijë e 776 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 40 mijë e 517 vizitorë të jashtëm. Krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, kur ishin regjistruar 64 mijë e 380 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve është rritur për 6,1 për qind.

“Numri i përgjithshëm i net-qëndrimeve gjatë këtij muaji ishte 132 mijë e 148. Nga ky total, 71 mijë e 624 net-qëndrime (54,2 për qind) u realizuan nga vizitorët e jashtëm, ndërsa 60 mijë e 524 net-qëndrime (45,8 për qind) nga vizitorët vendorë. Sa i përket shpërndarjes rajonale të vizitorëve vendorë, rajoni i Pejës prin me numrin më të madh të tyre, me gjithsej 9 mijë e 655 vizitorë dhe 26 mijë e 550 net-qëndrime”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, për vizitorët e huaj, ASK njofton se krahasuar me dhjetorin e vitit 2024, është shënuar rritje prej 2,5 për qind. Në total, gjatë dhjetorit 2025 janë regjistruar 40 mijë e 517 vizitorë të jashtëm, ku numri më i madh i tyre ka ardhur nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra, Turqia dhe shtete të tjera. /KosovaPress/

Read Previous

​34 vjet nga Traktati i BE-së

Read Next

Gjykimi ndaj të dyshuarve për sulmin në Ibër-Lepenc vazhdon më 16 shkurt