KRU Gjakova shpenzoi 7 mijë euro për shënimin e 40-vjetorit

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka shpenzuar 7 mijë euro në muajin gusht të vitit 2025, për organizimin e shënimit të 40-vjetorit të ndërmarrjes. 

Një pjesë e këtyre parave të dedikuara për këtë organizim kanë përfunduar edhe te kompania në pronësi të Egnen Zherkës, i cili është bashkëshorti i Miranda Zherkës, Zyrtares Kryesore Financiare të ndërmarrjes. Ndërsa vetë Miranda Zherka ka qenë një nga tre personat e angazhuar për këtë organizim bashkë me Shkëlqim Rudarin, zyrtar i Burimeve Njerëzore dhe Dafina Sylën, zëdhënese e ndërmarrjes.

Miranda Zherka nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me këtë çështje, ndërsa KRU Gjakova dhe kryeshefi Hasan Krasniqi nuk kanë kthyer përgjigje, deri në publikimin e këtij artikulli. Ndërkohë Egnen Zherka, tek kompania e të cilit kanë përfunduar një pjesë e parave të ndërmarrjes ku bashkëshortja e tij mban një nga pozitat kryesore, e ka pranuar se ka ofruar  shërbime për shënimin e 40-vjetorit të KRU Gjakovës.

Prokuroria Speciale ka konfirmuar për KALLXO.com se në lidhje me këtë rast janë nisur hetimet fillestare nga Prokuroria e Gjakovës, e cila më pas ka përcjellur rastin tek Prokuroria Speciale, e cila do të shqyrtojë nëse është në kompetencë të saj hetimi në tërësi i rastit, apo në kompetencë të Prokurorisë në Gjakovë.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, rastin në fjalë e ka pranuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë. Rasti është në shqyrtim lidhur me vlerësimin e kompetencës” – ka thënë zëdhënësja Arbnora Luta më 29.12.2025.

Anashkalimi i procedurave të prokurimit

KALLXO.com ka kontrolluar faqen e E-prokurimit dhe tenderët e shpallur nga KRU Gjakova para periudhës së organizimit të 40-vjetorit të ndërmarrjes dhe nuk ka gjetur asnjë njoftim të hapur për këtë çështje. Po ashtu, është kontrolluar edhe web-faqja e KRU Gjakovës, në pjesën ku publikohen njoftimet për kontrata dhe ato për dhënie të kontratës. As aty nuk është gjetur ndonjë njoftim për kontratë për organizimin e 40-vjetorit të ndërmarrjes.

Por, gjatë të njëjtës periudhë, në faqen e E-prokurimit, KALLXO.com ka gjetur se në ndërkohë, KRU Gjakova ka nënshkruar të paktën pesë kontrata me vlerë secila më pak se 7 mijë euro, para se të organizonte manifestimin e 40-vjetorit të ndërmarrjes, e cila ishte shënuar me 20.08.2025.

Për shembull, me 20.03.2025 ka nënshkruar një kontratë “Furnizim me makineri për kositjen e barit”. Vlera e kontratës ka qenë 3 mijë e 99 euro. Kontrata tjetër nën 7 mijë euro ka qenë për “Furnizim me vajra,antifriz dhe Ad Blue për nevojat e automjeteve”, e cila është nënshkruar me 07.05.2025, në vlerë prej 875 eurove. Një tjetër kontratë është nënshkruar me datë 29.05.2025 në vlerë prej 850 euro, për “Furnizim me mbyllës mekanik për pompën thithëse të K.R.U. Gjakova”. Kontratë tjetër në vlerë prej 988 euro është nënshkruar për “Furnizim me Printera”, me datë 19.06.2025. Ndërsa një kontratë në vlerë prej 5 mijë e 700 euro është nënshkruar me datë 11.08.2025 për “Shërbime të përkthimeve”. 

KALLXO.com ka lexuar edhe planin e prokurimit të vitit 2025 të publikuar në ueb-faqen e KRU Gjakovës dhe një shpenzim i tillë prej 7 mijë eurove për organizimin e 40-vjetorit e ndërmarrjes, nuk ishte i planifikuar. Sipas ligjit, çdo institucion duhet që 60 ditë para fillimit të çdo viti fiskal, të hartojë një planifikim të prokurimit, në të cilin parasheh secilin aktivitet të prokurimit që do të hapë, përgjatë vitit pasues. Ky plan duhet të dorëzohet në Agjencinë Qendrore të Prokurimit. 

Sipas Ligjit të Prokurimit Publik, çdo shpenzim me vlerë mbi 1 mijë euro duhet të shpenzohet përmes procedurave të prokurimit nga institucionet publike. 

Në këtë rast, shpenzimi prej 7 mijë euro për organizimin e 40-vjetorit të ndërmarrjes, prandaj KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) nëse ky është një aktivitet i prokurimit që duhet të jetë publik.    

Në një përgjigje me shkrim, KRPP, i cili është autoriteti që mbikëqyr procedurat e prokurimit publik në Kosovë, ka thënë se për çdo aktivitet të prokurimit i cili nuk bie në fushëveprimin e nenit 3 (Përjashtimet) të Ligjit të Prokurimit Publik, Autoriteti Kontraktues duhet ta përdorë njërën nga procedurat e prokurimit të përcaktuara me këtë ligj.

Neni 3 parashikon se Ligji i Prokurimit nuk zbatohet ose zbatohet vetëm pjesërisht për prokurimet që lidhen me sekrete të ligjshme dhe interesa të sigurisë (kontrata të klasifikuara ose që kërkojnë masa të veçanta sigurie); për kontrata të financuara nga marrëveshje me institucionet financiare ndërqeveritare që imponojnë rregulla të tjera prokurimi; për kontrata punësimi dhe trajnime profesionale specifike; prokurime ekskluzivisht të orientuara në përfaqësimin në formë të ofrimit të ushqimit dhe pijeve; për ndërmarrje në pronësi shoqërore vetëm kur ofrojnë shërbime publike me të drejta ekskluzive, për kontrata koncesioni që rregullohen nga ligji për PPP (vetëm në masën e paraparë aty), si dhe për blerjen ose qiradhënien e pasurive të paluajtshme, përveç nëse ligje të posaçme përcaktojnë ndryshe.

Se cilën procedurë në cilin rast do ta përdorë AK-ja, KRPP ka thënë se është kompetencë dhe përgjegjësi e plotë e AK-së. 

“Sipas LPP-së, përcaktimi i procedurës së prokurimit për të ushtruar një aktivitet prokurimi, është në kompetencë dhe përgjegjësi të plotë të Autoritetit Kontraktues”- përfundon përgjigja e KRPP-së për KALLXO.com e datës 26.12.2026.

Procedura në fjalë nuk ishte vetëm për furnizim me pije dhe ushqim, por parasheh edhe shërbime të tjera. Rasti konkret i KRU Gjakovës ka qenë organizimi i një manifestimi për shënimin e 40-vjetorit të ndërmarrjes, për të cilën janë shpenzuar 7 mijë euro për pije, ushqim, muzikë, karriga, tavolina, skenë, LED Screen dhe gjëra e tjera të nevojshme për shënimin e një përvjetori, e jo të përfaqësimit në formë të ushqimit dhe pijeve.

Më 02.10.2025, KALLXO.com ka kërkuar qasje në faturat e paguara nga ana e KRU Gjakovës për këtë organizim dhe vendimin për ndarjen e mjeteve, por të njëjtit nuk kanë ofruar qasje në dokumentet e kërkuara. Në lidhje me këtë, ekipi i KALLXO.com ka dorëzuar një ankesë ndaj KRU Gjakovës në Agjencinë për Informim dhe Privatësi (AIP). Kjo e fundit është përgjigjur se rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës.

“Policia e Kosovës është duke ndërmarrë veprime hetimore sipas autorizimit të Prokurorit të Shtetit, të datës 10.10.2025, lidhur me mbajtjen e manifestimit të përvjetorit të ndërmarrjes KRU Gjakova. Sipas autorizimit për hetimin dhe mbledhjen e të dhënave shtesë është e nevojshme të sigurohen të dhënat si në vijim: Dosja e planifikimit, organizimit dhe mbajtjes së manifestimit të përvjetorit të ndërmarrjes KRU Gjakova” – thuhet në përgjigjen që Policia e Kosovës i ka ofruar AIP-së.

Pasi nuk janë siguruar dokumentet përmes kërkesës për qasje në dokumente, KALLXO.com ka dërguar pyetje në KRU Gjakova edhe më 08.12.2025 në lidhje me organizimin për përvjetorin e ndërmarrjes, çfarë procedura janë ndjekur, nëse kjo përbën shkelje të Ligjit të prokurimit, për shumën që është ndarë për organizimin, por deri në publikimin e artikullit kjo ndërmarrje nuk ka kthyer përgjigje. 

Disa ditë më vonë, më 18.12.2025, janë dërguar pyetje shtesë në KRU Gjakova dhe është kërkuar nëse ka pasur vendim për ndarjen e mjeteve, nëse ka pasur kontratë të nënshkruar me operatorin që i ka ofruar shërbimet dhe dokumente të tjera që dëshmojnë procedurën e shpenzimit të parave për organizimin në 40-vjetorin e ndërmarrjes. As në këto pyetje, KRU Gjakova nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Pyetjet dhe kërkesa ishin dërguar tek zëdhënësja Dafina Syla, kryeshefi Hasan Krasniqi, si dhe Zyra e Prokurimit të ndërmarrjes, anëtarë të bordit, Zyrtarja Kryesore Financiare, Miranda Zherka dhe zyrtari i Burimeve Njerëzore, Shkëlqim Rudari.

Nga ana tjetër, Butrint Byci, pronari i verarisë “Vinoteca Risons” me bazë në Gjakovë, që është përzgjedhur për t’i kryer shërbimet për shënimin e 40-vjetorit të ndërmarrjes KRU Gjakova, që është mbajtur më 20.08.2025, ka treguar anën e tij se si ka shkuar procedura e përzgjedhjes.

Ai ka thënë se është kontaktuar nga një komision i përbërë prej tre personave në KRU Gjakova, të cilët e kanë bërë organizimin e shënimit të 40-vjetorit. Ai ka deklaruar se këta persona e kanë kontaktuar dhe ai e ka dorëzuar ofertën, rreth një muaj para ngjarjes.

“Ka qenë një komision prej tre anëtarëve të cilët e kanë bo organizimin e 40-vjetorit të KRU Gjakovës. Ofertën e kam dërgu, nuk jam i vetmi që e kam dërgu, ofertën e kam dërgu nja 30 ditë përpara. Edhe nuk ka qenë najfar oferte, 400 persona diku 7 mijë e sa euro. Në qoftë se ty ta merr mendja që ka pasur keqpërdorime çka të dush mundesh me shkru”- ka thënë Byci përmes telefonit më 16.12.2025.

“A duhet me qenë tenderi publik a nuk duhet me qenë, është diçka tjetër. Pyetjet e tilla mundeni me marrë prej KRU Gjakovës. Pyetjet se çka kam ofru unë shërbim edhe pse jam pagu, për të cilat unë jam pagu, atëherë unë mundem me ju jap përgjigje, kish me qenë ma fer kështu” – ka thënë Byci.

Gruaja në “Komision”, bashkëshorti përfiton indirekt

Personat e angazhuar për organizimin e manifestimit për 40-vjetorin e ndërmarrjes në kuadër të KRU Gjakovës, sipas Butrint Bycit, pronarit të kompanisë së përzgjedhur “Vinoteca Risons” dhe sipas burimeve të KALLXO.com, kanë qenë Zyrtarja Kryesore Financiare, Miranda Zherka; zëdhënësja e ndërmarrjes, Dafina Syla dhe zyrtari i burimeve njerëzore, Shkelqim Rudari.

Kompania “Vinoteca Risons” ka marrë 7 mijë euro për të ofruar ushqimin, pijet, karrigat, tavolinat, muzikën dhe gjëra të tjera të nevojshme për mbarëvajtjen e manifestimit. Një pjesë e këtyre parave ka përfunduar te kompania “EZ Vision”, në pronësi të Egnen Zherkës, i cili është bashkëshorti i Miranda Zherkës, Zyrtares Kryesore Financiare në KRU Gjakova.

Për të ofruar ekranet “LED” për këtë ngjarje, prej kompanisë së përzgjedhur “Vinoteca Risons” është angazhuar dhe paguar kompania “EZ Vision”, në pronësi të Egnen Zherkës, bashkëshortit të Zyrtares Kryesore Financiare të KRU Gjakovës, Miranda Zherkës.

Pronari i “EZ Vision”, Egnen Zherka, ka thënë për KALLXO.com se për shërbimet e ofruara është paguar vetëm 300 euro, duke thënë se “nëse do të ishte e mundur, këtë shërbim do ta ofronte pa pagesë”.

“Po më duket që ka qenë për shërbimet e punëtorëve, edhe taksat, edhe po më duket që ka qenë 300 euro. Mos më merr për të sigurtë, nuk jam i sigurtë”.

Të njëjtën shumë e ka konfirmuar edhe Butrint Byci, pronari i kompanisë “Vinoteca Risons”. I njëjti ka dërguar edhe faturën, përmes të cilës është paguar kompania në pronësi të Egnen Zherkës, e cila mban datën 30.09.2025, dhe vlerën prej 300 eurove për pagesë.

“EZ Vision” nuk është paguar direkt nga KRU Gjakova, por përmes kompanisë “Vinoteca Risons”, e cila e ka marrë pagesën e plotë prej 7 mijë eurove nga KRU Gjakova, e më pas pjesën që ka punuar “EZ Vision” e ka paguar direkt atë.

Pra, kompania në pronësi të Egnen Zherkës ka përfituar një shumë të parave nga kompania “Vinoteca Risons”, e cila është përzgjedhur për organizimin e manifestimit nga një “komision” në të cilin ka qenë pjesë edhe gruaja e tij, Miranda Zherka.

Pronari i “Vinoteca Risons”, Butrint Byci dhe Egnen Zherka e kanë mohuar që kanë ndonjë njohje apo lidhje familjare në mes vete. 

“Jo, jo hiq, aspak (nuk kam lidhje). Venaria është që dy vite ka fillu, është vend shumë i mirë edhe shkojmë rregullisht”- ka pretenduar Egnen Zherka.

“I vetmi prodhues në Gjakovë i alkoolit edhe që e kemi vinotekën, ti s’ke qenë kurrë. A mundesh me ardhë ti me postu fotografi? Kurrfarë relacioni nuk kam me Miranda Zherkën, mos keqkupto” – ka thënë në anën tjetër Butrint Byci.

Por, Egnen Zherka ka thënë se bashkëshortja e tij ndoshta ka kërkuar që veç shërbimet me i ofru me atë çmim.

“Po normal që e kam ditë që kanë me i bo, por nuk e kam ditë fiks se çka kanë me bo. Sepse nuk është që gruaja ime i ka marrë vendimet aty. Aty janë s’di sa vetë po më doket që kanë organizu, disa vetë. Tek e fundit gruaja ime ndoshta veç ka kërku që shërbimet tona veç me i ofru me këtë çmim, vetëm me shpenzime. Ajo nëse kish pasë mundësi me i bo e mos me i deklaru hiç, pa pare, po nuk bon. Por që ka me ndodhë, e kam ditë, sepse 40-vjetori, gruaja ime është drejtoreshë financiare. Por a jam kontaktu direkt, asnjëherë” – ka thënë Egnen Zherka përmes telefonit më 16.12.2025.

Më 16.12.2025, KALLXO.com ka kontaktuar Miranda Zherkën, e cila është Zyrtare Kryesore Financiare në KRU Gjakova, një nga personat e angazhuar për organizimin dhe po ashtu, gruaja e Egnen Zherkës, pronarit të kompanisë “EZ Vision”, e cila ka marrë një shumë të parave nga kompania “Vinoteca Risons”. E njëjta përmes telefonit ka refuzuar të përgjigjet dhe ka kërkuar që pyetjet në lidhje me këtë çështje të drejtohen te Zyra për Media e ndërmarrjes.

Në të njëjtën ditë, Miranda Zherkës i janë drejtuar pyetjet me shkrim në lidhje me nëse ka njohje me kompaninë e përzgjedhur, nëse e ka rekomanduar ajo kompaninë e burrit të saj te kompania e përzgjedhur për organizim, nëse i ka nënshkruar ajo faturat për shpenzime, dhe pse për këtë organizim nuk janë ndjekur procedurat e prokurimit. Por edhe pse kanë kaluar më shumë se një muaj, e njëjta nuk është përgjigjur. 

Për këtë çështje janë kontaktuar edhe me dy personat e tjerë, të cilët kanë qenë të angazhuar bashkë me Miranda Zherkën për organizimin e manifestimit për 40-vjetorin e KRU Gjakovës, Shkëlqim Rudarin dhe Dafina Sylën. Rudari, i cili është zyrtar i burimeve njerëzore në KRU Gjakova, nuk ka pranuar të përgjigjet duke thënë se “pyetjet duket të drejtohen me shkrim te Zyra për Media” sepse atij i duhet ta respektojë hirearkinë. Përmes telefonit ka refuzuar të përgjigjet edhe Dafina Syla, zëdhënësja e ndërmarrjes, e cila ka kërkuar që pyetjet të dërgohen përmes emailit.

“Dërgoni pyetjet me shkrim dhe flas me menaxhmentin dhe të kthej përgjigje”- ka thënë ajo.

Sipas kërkesës së saj, KALLXO.com më 18.12.2025 ka dërguar pyetjet në adresë të Rudarit, Sylës dhe zyrtarëve të tjerë, por deri në publikimin e artikullit nuk ka pranuar përgjigje.

Përveç tyre, as kryeshefi i ndërmarrjes, Hasan Krasniqi, nuk ka pranuar të deklarohet rreth rastit. Në momentin që i është përmendur tema për të cilën do të parashtroheshin pyetje, i njëjti ka refuzuar të përgjigjet. Përveç kësaj, pas telefonatës, janë dërguar edhe pyetje me shkrim te kryeshefi, por i njëjti nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Kujtojmë se tashmë Prokuroria Speciale është duke i hetuar tre raste të dyshuara të tenderëve në KRU Gjakova, pas raportimeve të KALLXO.com.

Konkretisht, hetimet kanë të bëjnë me tenderin për blerjen e një barke nga ana e KRU Gjakovës, në vlerë prej 24 mijë e 500 eurove. Por e njëjta nuk arriti të shfrytëzohej pasi që u sekuestrua nga ana e Doganës dhe Policisë së Kosovës. Kjo barkë u ble nga KRU “Gjakova” prej një kompanie e cila ishte regjistruar rreth një muaj para se ta fitonte tenderin.

Hetimi tjetër ka të bëj me tenderin për servisimin e automjeteve, pas publikimit të audio-incizimeve nga KALLXO në lidhje me këtë tender.  Në këto audio-incizime dëgjohej Hasan Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i ndërmarrjes teksa flet për negocim kontrate dhe konfirmohej përfshirjen e tij në kontaktimin e biznesmenëve që do të merreshin me servisimin e makinave të ndërmarrjes. Audio-incizimet e publikuara nga dëshmonin se kryeshefi e kishte pranuar para stafit të tij se i ka dhënë instruksione shoferit të tij, Valon Gunga, për të dalë dhe për të gjetur kompani që servisojnë makina.

Ndërsa hetimi i tretë lidhet edhe me tenderin e dyshimtë për furnizim me dy kamioneta të KRU Gjakova. Në hulumtimin e publikuar me 18.07.2025 tregohej se si KRU Gjakova kishte shpërblyer me kontratë prej 75 mijë e 680 eurove, një kompani e cila nuk i kishte plotësuar specifikat teknike të dosjes së tenderit. Sipas asaj që ka mësuar KALLXO, kryeshefi Hasan Krasniqi dyshohet se ka ushtruar presion ndaj zyrtares së prokurimit për të nënshkruar këtë kontratë. /KALLXO.com/

Read Previous

Përfundon protesta kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike

Read Next

Kur nis vala e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike?