AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Nisma “Liria ka Emër”, në bashkëpunim me aktivistë dhe qytetarë të angazhuar, organizon marshin “Drejtësi, jo politikë”, i cili do të mbahet më 17 shkurt në Prishtinë. Ky marsh synon të përcjellë një mesazh të qartë për nevojën e ndarjes së drejtësisë nga ndikimet politike, si dhe për forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet e drejtësisë.
Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli shpalosën arsyet e organizimit të marshit, mesazhet që pritet të përcillen dhe rëndësinë e angazhimit qytetar në këtë çështje që prek shoqërinë në tërësi.
“Nisma ‘Liria ka Emër’ ka qenë e bërë për dy arsye: dokumentimi i rrugëtimit për liri dhe nisja e dokumentimit të dëshmitarëve, ushtarëve, veteranëve, invalidëve të luftës dhe nënave të dëshmorëve, duke parë se ata po ikin nga kjo botë dhe rrëfimet e tyre nuk janë përcjellë përtej rretheve të vogla familjare.”
Duke folur për ndryshimin e fokusit të nismës, Hoxha tha se zhvillimet në Hagë kanë ndikuar drejtpërdrejt në angazhimin e tyre publik. “Ngjarjet në Hagë e ndryshuan komplet kahjen e nismës dhe krijuan një dinamikë tjetër brenda punës sonë, duke na shtyrë të reagojmë dhe më pas, pas dy vitesh, ta mbajmë marshin e parë në vitin 2023, i cili shënoi jehonën maksimale dhe përqafimin e sloganit ‘Liria ka Emër’”, tha Eliza Hoxha.
Ndërkaq, Ismail Tasholli u shpreh kritik ndaj proceseve në Hagë. “Ekspozimi i padrejtësisë së Hagës shkon në dy drejtime. Ajo çka ka ndodhur atje është e njohur, duke përfshirë një ish-prokuror që sot po vihet në pikëpyetje nga shoqëria amerikane për diskreditim personal dhe dilema serioze etike. Ai ka qenë figurë kyçe e proceseve të Hagës, çka e bën këtë institucion tërësisht të diskredituar”, tha Tasholli.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje qytetare në marsh, duke theksuar rëndësinë e angazhimit civil për drejtësi të pavarur dhe shtet ligjor. /RTKlive