Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Udhëheqësit e partive politike në Kosovë kanë njoftuar për takimet që kanë zhvilluar me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Prishtinë-Beograd, Peter Sørensen, i cili është duke qëndruar në vend në kuadër të përpjekje për të përcaktuar rrjedhën e procesit për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka bërë të ditur se me Sørensenin ka diskutuar për nevojën e konstituimit të institucioneve të reja dhe për rëndësinë e rikthimit të Kosovës në agjendën e integrimit evropian.
“PDK-ja mbetet e përkushtuar për bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë në shërbim të paqes dhe stabilitet rajonal”, ka shkruar pas takimit Hamza.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka vënë theksin te rëndësia e stabilitetit institucional dhe konsolidimit demokratik, duke i cilësuar si parakushte për funksionimin normal të institucioneve, rritjen e besimit të qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e kredibilitetit ndërkombëtar të Kosovës.
“Shpreha pritjen që BE-ja të vazhdojë angazhimin dhe mbështetjen për Kosovën, si në proceset e përgjithshme politike, ashtu edhe në rrugëtimin drejt integrimit evropian dhe forcimit të perspektivës euroatlantike të vendit”, ka shkruar Abdixhiku.
E kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka theksuar se vlerëson rolin e diplomatit danez, duke nënvizuar gjithhashtu rëndësinë e partneritetit BE–SHBA për sukseset e arritura në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“E njoftova z. Sørensen për qëndrimin e AAK-së për të dhënë kontribut të drejtpërdrejtë në formimin sa më të shpejtë të institucioneve, të dala nga zgjedhjet, si dhe për angazhimin tonë në rikthimin e vendit në rrugën e integrimit euro-atlantik”.
Ndryshe, në një paraqitje para gazetarëve, Sørensen ka shprehur shpresën që gjatë vitit 2026 të rifillojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, duke shmangur situata sikurse ajo e vitit të kaluar, kur nuk ishte zhvilluar asnjë takim mes palëve në Bruksel. /Albanianpost.com