Spiropali: Sulmi rus pranë kufijve të BE-së dhe NATO-s, kërcënim për sigurinë europiane

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, reagoi sot pas sulmit të fundit të Rusisë me raketë balistike me rreze të mesme mbi rajonin e Lvivit në Ukrainë, pranë kufirit me Poloninë.

Spiropali shkruan në rrjetin social X se, “Shqipëria dënon fuqishëm përdorimin nga Rusia të një rakete balistike me rreze të mesme kundër rajonit të Lvivit në Ukrainë.”

“Një sulm kaq pranë kufijve të BE dhe NATO-s përbën përshkallëzim serioz dhe kërcënon sigurinë evropiane dhe transatlantike. Narrativat e trilluara të Rusisë zbulojnë natyrën agresive të veprimeve të saj”, theksoi ministrja e Jashtme.

Spiropali bëri thirrje për masa të forta ndërkombëtare dhe presion më të madh ndaj Moskës, teksa shtoi se, “Shqipëria mbetet e palëkundur në mbështetje të Ukrainës”.

Rusia ka përdorur raketën e saj me rreze të mesme veprimi dhe me kapacitet bërthamor ”Oreshnik” në një sulm ndaj Ukrainës perëndimore, raportoi sot agjencia e lajmeve TASS, duke cituar Ministrinë ruse të Mbrojtjes. Ky është sulmi i dytë ndaj Ukrainës ku përfshihet kjo armë. /ATSH/

Read Previous

Kandidatët që mbeten jashtë Kuvendit si pasojë e kuotës gjinore

Read Next

Dibrani: Në vjeshtën e vitit 2027 do të pranohen të burgosurit e parë nga shteti danez