Nga Ksamili te Alpet, “Skyscanner” promovon Shqipërinë si destinacionin më ekonomik për pushime
Reshjet e dendura të shiut, kanë shkaktuar vërshime në disa zona të Kosovës, duke bllokuar rrugët dhe kërcënuar komunitetet lokale. Shumica e lumenjve, veçanërisht në pjesët perëndimore dhe qendrore, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje lokale.
Sizmologu e gjeologu Shemsi Mustafa tha për Radio Kosovën se pasojat nuk janë vetëm nga reshjet, por edhe nga ndërhyrjet njerëzore dhe aktiviteti minerar që kanë ndryshuar rrjedhat e ujërave.
Përgjatë dy ditëve të fundit, reshjet e dendura të shiut në Kosovë kanë shkaktuar vërshime të mëdha, duke bllokuar në disa zona edhe rrugët për qarkullim. Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se më 5 dhe 6 janar, në territorin e Kosovës kanë rënë mesatarisht 43 milimetra shi për metër katror. Sipas këtij instituti, shumica e lumenjve në Kosovë, veçanërisht ata në pjesët perëndimore dhe qendrore të vendit, kanë dalë nga shtrati i tyre, duke shkaktuar përmbytje lokale.
Vërshimet kanë shkaktuar edhe turbullira të larta në kanalin Ibër–Lepenc. Me këtë rast, Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se Impianti i Trajtimit të Ujit në Shkabaj vazhdon të jetë jashtë funksionit dhe se në disa zona priten reduktime të furnizimit me ujë.
Sipas sizmologut dhe gjeologut, Shemsi Mustafa, kjo situatë nuk është vetëm pasojë e reshjeve të dendura, por kryesisht rezultat i faktorit njeri dhe mungesës së menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë natyrore.
“Ndërhyrjet e pakontrolluara të njeriut në natyrë kanë ndryshuar ndjeshëm mënyrën e qarkullimit të ujërave, si në sipërfaqe ashtu edhe nën tokë. Intensiteti i lartë i ndërtimeve, shpesh vend e pa vend, ka ndikuar drejtpërdrejt në bllokimin dhe devijimin e kanaleve natyrore dhe shtresave ujëmbajtëse”, tha ai.
Mustafa tha për Radio Kosovën, se këto ndërhyrje kanë ndryshuar topografinë e brendshme të tokës dhe arkitekturën e shtresave të saj, duke e pamundësuar qarkullimin normal të ujit dhe duke rritur rrezikun e vërshimeve. Ai përmend edhe faktorë të tjerë që, sipas tij, po ndikojnë në përkeqësimin e situatës.
“Një tjetër faktor i rëndësishëm që ka ndikim në vërshime është aktiviteti minerar. Proceset e minimit krijojnë çarje dhe mikroçarje në strukturën e tokës, ndërsa rrafshimi i zonave malore për shfrytëzim të gurthyesve dhe zhavorrit, si dhe eksploatimi i mineraleve metalore, jometalore dhe energjetike në zonat më të ulëta, sjellin ndryshime drastike në rrjedhat natyrore të ujërave nëntokësore”, tha ai.
Sipas sizmologut Shemsi Mustafa, këto ndryshime të shkaktuara nga faktori njerëzor kanë prishur ekuilibrin natyror, duke e bërë terrenin më të ndjeshëm ndaj vërshimeve dhe fatkeqësive të ngjashme. Ai thekson se përgjegjësia për këto pasoja bie kryesisht mbi veprimtarinë njerëzore, e cila po ndryshon vazhdimisht stratigrafinë dhe stabilitetin e kores së tokës. /RTK-Radio