Tyson Fury ka njoftuar se do të rikthehet sërish të boksojë këtë vit, gati një vit pasi njoftoi tërheqjen e tij të fundit nga ringu.
Ai u mund në revanshin ndaj Oleksandr Usyk në dhjetor 2024 dhe më pas deklaroi tërheqjen e tij nga ringu, ndërsa tani ndryshoi sërish mendje.
“Kam qenë larg për një kohë, por jam kthyer tani, 37 vjeç dhe ende gati të godas me grushte. Nuk ka asgjë më të mirë për të bërë sesa të godasësh njerëzit në fytyrë dhe të paguhesh për këtë“, u shpreh në një deklaratë në rrjetet sociale boksieri britanik, ish-kampion bote në peshën e rëndë.
Kjo nuk është hera e parë që Fury vendos të tërhiqet dhe më pas të rikthehet në ring. Ai deklaroi se do të tërhiqej pasi mundi Dillian Whyte në prill 2022, për t’u rikthyer më vonë gjatë po atij viti. Më tej, në mesazhin e tij, Fury sqaron: “2026 është viti im, kthimi i kampionit”.
Muajt e fundit, emri i Tyson Fury është lidhur vazhdimisht me një duel të shumëpritur kundër patriotit të tij Anthony Joshua, një tjetër ish-kampion bote në peshën e rëndë. Planet janë për një duel në verën e këtij viti, por aksidenti që Joshua pësoi në Nigeri mund t’i prishë ato. /Telesport.al/