Thaçi kërkon që dy proceset gjyqësore ndaj tij të mos zhvillohen në të njëjtën kohë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës që çështja e tij për pengesë në administrimin e drejtësisë të ndahet nga çështja ku ai dhe ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po gjykohen për krime lufte. Ai ka kërkuar gjithashtu shtyrjen e gjykimit për të shmangur zhvillimin e dy proceseve njëkohësisht.

Për të shqyrtuar këtë kërkesë, Gjykata Speciale ka njoftuar të premten se është caktuar një panel i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi kërkesën e dorëzuar nga Thaçi.

“Gjykatësit Vidar Stensland, Roumen Nenkov dhe Piotr Hofmanski do të vendosin mbi këtë kërkesë”, thuhet në njoftimin e Speciales.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, zhvillimi i dy proceseve njëkohësisht do të krijonte një barrë të rëndë për të, duke penguar pjesëmarrjen efektive në gjykim dhe përfaqësimin ligjor të duhur.

“Avokatët nuk kanë mundësitë financiare për të mbajtur dy ekipe ligjore të ndara, ndërkohë që njohuria e thellë e të dy çështjeve është e nevojshme për të garantuar mbrojtje efektive”, thuhet në kërkesën e dorëzuar nga Thaçi.

Gjithashtu, sipas mbrojtjes, gjykimet paralelë mund të çojnë në vendime kontradiktore mbi të njëjtat fakte, duke cenuar sigurinë ligjore të Thaçit dhe duke dobësuar kredibilitetin e Dhomave Speciale.

“Mbrojtja kërkon që çështja 06, e cila ka nisur më parë dhe ka disa të akuzuar në paraburgim, të përfundojë e para, për të shmangur vonesa dhe konflikte në vendimmarrje”.

Ndër të tjera, mbrojtja ka argumentuar gjithashtu se ndarja e çështjes nuk do të rrisë ndjeshëm barrën për dëshmitarët, pasi shumica e tyre do të thirreshin vetëm një herë dhe dëshmia do të ishte e shkurtër.

“Në mbështetje të kësaj kërkese, mbrojtja e Smakaj, Kilaj, Fazliu dhe Kuçi pohojnë se ndarja e aktakuzës është mënyra e vetme për të garantuar respektimin e të drejtave për një gjykim të drejtë për të gjithë të akuzuarit në çështjen 12, si dhe për bashkëpandehësit e çështjes 06”.

Thaçi ka kërkuar që gjykimi i çështjes për administrim të drejtësisë të shtyhet deri pas përfundimit të çështjes ku pretendohet se ai ka kryer krime lufte, për të siguruar një proces të drejtë, përfaqësim ligjor efektiv dhe shmangien e konfliktit të vendimeve gjyqësore.

Prokuroria në DhSK, në rastin ku Thaçi akuzohet për pengim të administrimit të drejtësisë, ka afat deri më 6 mars për të paraqitur provat.

Në fillim të dhjetorit të vitit 2024, ZPS-ja ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve duke i akuzuar ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.

Pos Thaçit, aktakuzë ishte ngritur gjithashtu ndaj Bashkim Smakajt, Fadil Fazliut, Isni Kilajt dhe Hajredin Kuçit për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë, të dyshuarit akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të pretenduara të luftës Thaçi dhe të tjerët.

Thaçi, Kilaj, Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat e Speciales. /Albanianpost.com

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

​Viti nis me tetë raste të dhunës në familje

Read Next

Banka e Shqipërisë paralajmëron masa të forta për stabilitetin ekonomik në 2026