Bullgaria i bashkohet zyrtarisht eurozonës

Bullgaria u bë anëtari i 21-të i eurozonës, duke e çuar numrin e njerëzve që përdorin monedhën e vetme evropiane në më shumë se 350 milionë, sipas DW.

Bullgaria miratoi dje përdorimin e euros pavarësisht kundërshtimit në disa sektorë të shoqërisë.

Christine Lagarde, presidente e Bankës Qendrore Evropiane (BQE), përshëndeti përfshirjen e Bullgarisë në eurozonë.

“Euro është një simbol i fuqishëm i asaj që Evropa mund të arrijë kur punojmë së bashku, dhe i vlerave të përbashkëta dhe forcës kolektive që mund të shfrytëzojmë për t’u përballur me pasigurinë gjeopolitike globale – me të cilën përballemi në këtë moment”, tha Lagarde në një deklaratë.

Vendi ballkanik, anëtar i BE-së që nga viti 2007, i bashkohet zonës së monedhës së vetme pas hyrjes së Kroacisë në janar 2023.

Ky vendim e çon numrin e evropianëve që përdorin monedhën në më shumë se 350 milionë.

Pranimi i Bullgarisë në eurozonë – lë vetëm gjashtë nga 27 vendet e BE-së jashtë unionit monetar: Suedinë, Poloninë, Republikën Çeke, Hungarinë, Rumaninë dhe Danimarkën.

Edhe pse presidenti bullgar, Rumen Radev e quajti adoptimin e euros “hapin e fundit” në integrimin e Bullgarisë në BE, ndërsa shprehu keqardhje që bullgarët nuk ishin konsultuar me referendum për adoptimin e monedhës.

“Ky refuzim ishte një nga simptomat dramatike të përçarjes së thellë midis klasës politike dhe popullit, e konfirmuar nga demonstratat masive në të gjithë vendin”, tha ai në një fjalim të Vitit të Ri.

Sipas anketës së fundit të Eurobarometrit, 49% e bullgarëve ishin kundër kalimit në euro.

Në ditët e fundit, pronarët e bizneseve dhe shitësit kanë raportuar vështirësi në marrjen e euros.

Bankat paralajmëruan gjithashtu për ndërprerje të mundshme të pagesave me karta dhe tërheqjeve nga bankomati.

Kursi fiks i këmbimit është 1,95583 leva për euro.  /ATSH/

Read Previous

Në Kuvendin e Kosovës mbahet Akademi Përkujtimore për Nexhat Dacin

Read Next

BE dhe Franca i ofrojnë ndihmë Zvicrës për tragjedinë vdekjeprurëse