Gjatë vitit 2025, inflacioni në Shqipëri ka kaluar në dy faza: në gjysmën e parë të vitit u rrit gradualisht, duke arritur kulmin në 2.5% në korrik, ndërsa më pas u stabilizua rreth nivelit 2.3%.
Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, shpjegoi se ky trend u ndikua nga një kombinim faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, përfshirë rënien e çmimeve të ushqimeve, luhatjet e çmimeve të energjisë dhe rritjen e çmimeve të qirave.
Sipas Minxhozit, presionet e brendshme mbi çmimet kanë qenë të qëndrueshme, reflektim i ritmeve të shëndetshme të rritjes ekonomike, ndërsa presionet nga jashtë u zbutën për shkak të forcimit të Lekut dhe nivelit të ulët të inflacionit në vendet partnere.
Përveç kësaj, politika monetare e kujdesshme e Bankës së Shqipërisë ka ndihmuar që pritjet për inflacionin të mbeten të ankoruara, duke ruajtur besimin e publikut dhe duke mbajtur kostot e huamarrjes në nivele të ulëta.
Kjo ka krijuar kushte për rritjen e kreditimit dhe investimeve, sidomos në sektorët që rrisin kapacitetet prodhuese të ekonomisë.
Minxhozi theksoi se për vitin 2026, Banka e Shqipërisë do të vijojë me një qasje fleksibile dhe të bazuar në të dhëna, për të ruajtur inflacionin pranë objektivit 3%.
Politika monetare do të mbetet e fokusuar në menaxhimin e pasigurisë globale, ndërkohë që masat proaktive dhe monitorimi i vazhdueshëm do të garantojnë stabilitetin e çmimeve si element kyç për mirëqenien e familjeve dhe bizneset shqiptare.
Banka po përdor edhe instrumente të tjera për të siguruar stabilitetin financiar, përfshirë masat makroprudenciale dhe përgatitjet për digjitalizimin financiar, duke forcuar qëndrueshmërinë e sektorit bankar dhe duke mbështetur besimin e tregut në një periudhë sfidash globale dhe flukse valutore të larta. /Albanianpost.com