Edi Rama: Viti 2025 mbyllet me rritjen ekonomike 3.9%

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi sot se viti që po mbyllet ka qenë një ndër më pozitivët për ekonominë shqiptare, me tregues inkurajues në disa sektorë kyç.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, të mbajtur në Kryeministri, Rama u shpreh se ekonomia pritet të mbyllet me një rritje prej 3.9%, ose pothuajse 4%, duke e cilësuar këtë si një nga performancat më të mira në rajon dhe në kontinentin europian.

Sipas tij, bizneset e reja janë shtuar me rreth 20% gjatë 11-mujorit të vitit 2025, ndërsa investimet e huaja kanë shënuar rritje mbi 10% vetëm në tremujorin e tretë të vitit. Po ashtu, stoku i investimeve të huaja rezulton më i lartë me mbi 10% krahasuar me një vit më parë.

Kryeministri bëri të ditur se paga mesatare në tremujorin e tretë ka arritur në 833 euro, duke shënuar një rritje të ndjeshme.

Ai njoftoi gjithashtu se në ditët në vijim hyn në fuqi ligji për pagën minimale, e cila do të shkojë në 500 euro dhe do të prekë një numër të konsiderueshëm punonjësish si në sektorin privat, ashtu edhe në atë shtetëror.

Sipas Ramës, për një periudhë 9-mujore, kontributet për këta punonjës do të mbulohen nga punëdhënësit. /ATSH/

Read Previous

ZRRE-ja ul çmimin për ngrohje në Prishtinë dhe Gjakovë

Read Next

Shqipëri | 1,4 milionë euro për rijetësimin e rrjetit të kinemave në vend