Bashkimi Evropian ka miratuar vendet e treta të sigurta, në mesin e të cilave përfshihet edhe Kosova.
Lajmi është bërë i ditur përmes një komunikate të lëshuar nga Këshilli Evropian.
“Sot, Këshilli ka miratuar qëndrimin e tij mbi dy aktet ligjore të BE-së, të cilat do të forcojnë zbatimin praktik të koncepteve kryesore mbi vendet e sigurta në rregullat e azilit të BE-së. Këto ligje të reja për migracionin synojnë të vendosin procedura më të shpejta dhe më efektive të azilit për ata që nuk duhet të marrin mbrojtje brenda BE-së”, thuhet në komunikatë.
Në njoftim sqarohet se rregullorja e re, që rishikon konceptin e vendit të sigurt të tretë, do të zgjerojë rrethanat në të cilat një kërkesë për azil mund të refuzohet si e papranueshme.
“Këshilli gjithashtu ka përfunduar një pjesë të rëndësishme të Pakos për Migracion dhe Azil 2024, duke miratuar për herë të parë listën e përbashkët të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës, e cila do t’u mundësojë shteteve anëtare të përpunojnë kërkesat për mbrojtje ndërkombëtare në mënyrë të përshpejtuar”.
Pas Kosovës, si vende zyrtarisht të sigurta janë cilësuar edhe Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia.
“Për qytetarët që vijnë nga këto shtete do të aplikohen procedura të përshpejtuara, të cilat në shumicën e rasteve pritet të përfundojnë me refuzim të kërkesës për azil ose me zhvendosjen e shqyrtimit të saj në një vend të tretë të sigurt, nga i cili kanë kaluar”.
Koncepti i vendit të sigurt të tretë u mundëson shteteve anëtare të refuzojnë kërkesat për azil kur aplikantët mund të kenë kërkuar mbrojtje në një vend jo-BE të konsideruar të sigurt. Rregullorja e re zgjeron rrethanat në të cilat një kërkesë mund të refuzohet si e papranueshme dhe parashikon që shqyrtimi i kërkesave të mund të kryhet edhe në vende të treta të sigurta.
Për qytetarët që vijnë nga vendet e sigurta të origjinës, si Kosova, Bangladeshi, Kolumbia, Egjipti, India, Maroku dhe Tunizia, do të aplikohen procedura të përshpejtuara, të cilat zakonisht përfundojnë me refuzim të kërkesës për azil ose me zhvendosjen e shqyrtimit në një vend të tretë. /Albanianpost.com