Macron i kërkon Kinës të përdorë ndikimin mbi Rusinë për paqe në Ukrainë

Presidenti francez, Emmanuel Macron, gjatë vizitës zyrtare në Pekin, i kërkoi drejtpërdrejt udhëheqësit kinez, Xi Jinping, të përdorë ndikimin e madh të Kinës mbi Rusinë për të ndihmuar në ndalimin e luftës në Ukrainë.

Ai e konsideroi bashkëpunimin mes Francës dhe Kinës si “vendimtar” për stabilitetin global dhe i kujtoi Pekinit përgjegjësitë që i takojnë si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Kjo vizitë vjen pas takimit të Macronit me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Paris, ku të dy ranë dakord se lufta duhet të përfundojë me një zgjidhje të drejtë.

Në Pekin, Macron e paraqiti agresionin rus jo vetëm si kërcënim për Evropën, por edhe si rrezik për rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla. Ai ngriti gjithashtu çështje ekonomike, duke përfshirë deficitin tregtar të BE-së me Kinën, që arrin mbi 357 miliardë dollarë në vit, varësinë evropiane nga teknologjia dhe prodhimi kinez, si dhe nevojën që Kina të konsumojë më shumë dhe të eksportojë më pak.

Një këshilltar i Elysee-s tha se: “Evropianët duhet të kursejnë më pak dhe të prodhojnë më shumë, ndërsa Kina të bëjë të kundërtën.”

Macron paralajmëroi gjithashtu se Franca do të jetë kundër çdo mbështetjeje materiale apo teknologjike që mund t’i mundësojë Rusisë të zgjasë luftën, transmeton France 24.

Ndërkaq, Xi Jinping u përgjigj me fjalimin e zakonshëm, duke kërkuar “zgjidhje politike”, duke folur për një arkitekturë sigurie “të balancuar dhe të qëndrueshme” në Evropë dhe duke përsëritur respektin për sovranitetin, por pa kritikuar drejtpërdrejt Rusinë dhe pa përmendur qartë integritetin territorial të Ukrainës.

/GazetaSinjali/

Read Previous

Zelensky: Ukraina kërkon ‘qartësi’ mbi takimin e përfaqësuesve të Trump dhe Rusisë

Read Next

Messi gati për trofeun e radhës, finalja e MLS kundër Müllerit dhe Vancouverit