Federica Mogherini, ish-diplomatja më e lartë e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga roli i saj si rektore e Kolegjit të Evropës, pas një hetimi ndaj mashtrimeve të dyshuara në lidhje me programet e trajnimit të financuara nga BE-ja për diplomatët e rinj, sipas “Euractiv”.
“Në përputhje me rigorozitetin dhe drejtësinë maksimale me të cilën kam kryer gjithmonë detyrat e mia, sot kam vendosur të jap dorëheqjen si rektore”, tha sot ajo në një deklaratë pas një takimi të Komitetit Ekzekutiv të Kolegjit.
Deklarata e saj vjen një ditë pasi zyrtari i lartë i BE-së, Stefano Sannino tha se do të tërhiqej në fund të dhjetorit, pasi u shpall gjithashtu, i dyshuar në hetim.
Ai është kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Komisionit për Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe Gjirin.
Në qendër të hetimit, të udhëhequr nga prokurori i BE-së, është projekti për Akademinë Diplomatike të Bashkimit Evropian, një program trajnimi nëntëmujor për diplomatë të rinj nga vendet anëtare, i cili iu dha Kolegjit të Evropës nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm gjatë periudhës 2021-2022, pas një procedure tenderimi.
Prokurorët dyshojnë se, në vitet 2021–2022, Kolegji dhe shërbimi diplomatik i BE-së mund të kenë bashkëpunuar – për të drejtuar në mënyrë të papërshtatshme fondet e BE-së drejt projektit, përfshirë edhe duke i dhënë Kolegjit informacion paraprak për tenderin.
Tenderi u hap zyrtarisht për universitetet në të gjithë Evropën.
Mogherini mbetet e pafajshme ndërsa hetimi vazhdon. /ATSH/