Shpresoj që Kina t’i bashkohet përpjekjeve të Francës për të ndaluar sulmet ruse ndaj Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur, tha sot presidenti francez, Emmanuel Macron gjatë vizitës në Pekin.
“Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të dy vendet kanë një përgjegjësi të veçantë”, tha Macron në një konferencë për shtyp me presidentin kinez, Xi Jinping.
Xi përsëriti qëndrimin e Pekinit se Kina po përpiqej për paqe dhe se shpresonte që të dyja palët të arrinin një paqe të qëndrueshme përmes dialogut.
Ai tha se Kina shpresonte të vazhdonte të luante një rol konstruktiv, ndërsa refuzoi përpjekjet për t’ia hedhur fajin të tjerëve.
Pekini konsiderohet mbështetësi më i rëndësishëm i Rusisë – pasi shumica e vendeve perëndimore ndërprenë lidhjet me Moskën – për shkak të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Kina ende nuk e ka dënuar luftën ndaj Ukraines – që ka shkaktuar vuajtje të mëdha civile në Ukrainë dhe është akuzuar për mbështetjen e sektorit të mbrojtjes së Rusisë duke furnizuar vendin me produkte që mund të përdoren, si për qëllime civile ashtu edhe ushtarake.
Në vizitën e tij të katërt zyrtare në Kinë, Macron u prit nga presidenti Xi dhe bashkëshortja e tij Peng Liyuan. /ATSH-DPA/