KQZ nis përgatitjet për zgjedhjet e 28 dhjetorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur zyrtarisht përgatitjet për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, që do të mbahen më 28 dhjetor të këtij viti.

Në faqen zyrtare, KQZ-ja ka publikuar edhe afatet për subjektet politike, përfshirë periudhën brenda së cilës ato mund të deklarohen për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve.

“Sipas afateve zgjedhore, afati për deklarimin e partive politike për pjesëmarrje në zgjedhje përmes koalicioneve fillon më 24 nëntor dhe përfundon më 30 nëntor 2025”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Pak ditë më parë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, vendosi 28 dhjetorin si datë të zgjedhjeve të reja parlamentare. Edhe pse PDK, AAK, NISMA dhe LDK kishin kërkuar një datë më të afërt, Osmani u përcaktua për 28 dhjetorin, datë që ishte preferuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Këto do të jenë zgjedhjet e dyta parlamentare brenda këtij viti, pasi më 9 shkurt qytetarët tashmë kanë votuar një herë për përbërjen e re të Kuvendit. Megjithatë, nga procesi i atëhershëm nuk u arrit të formohej qeveria, duke prodhuar një krizë të thellë politike si pasojë e pamundësisë për të konstituuar plotësisht institucionet.

Lëvizja Vetëvendosje, që doli partia e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit, mori dy herë mandatin nga presidentja Osmani, fillimisht për Albin Kurtin dhe më pas për Glauk Konjufcën, por në asnjërin rast nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme të votave për formimin e qeverisë. /Albanianpost.com

Read Previous

Lëndohet Amir Rrahmani

Read Next

​Orban: Evropa ka dy mundësi, njëra çon direkt në luftë