Një autoportret surrealist nga piktorja meksikane Frida Kahlo, krijuar në vitin 1940 dhe titulluar “El sueño (La cama)” – Ëndrra (Shtrati), u shit për 54.66 milionë dollarë në një ankand të Sotheby’s në Nju Jork të enjten, duke u bërë piktura më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë nga një grua.
Ky rekord thyen atë të mëparshëm të vendosur nga piktorja amerikane Georgia O’Keeffe, e cila u shit për 44.4 milionë dollarë në vitin 2014. Identiteti i blerësit nuk është zbuluar.
Në këtë vepër, Frida Kahlo shfaqet duke fjetur në një shtrat druri që duket sikur fluturon në qiell, ndërsa të varur në tavan gjendet një skelet i mbështjellë me dinamit, duke mbajtur një buqetë dhe buzëqeshur. Ekspertja e artit latino-amerikan në Sotheby’s, Anna Di Stazi, e përshkroi veprën si një imazh shumë personal, që përzien motive folklorike meksikane me elementë të surrealizmit evropian.
Frida Kahlo, e cila vdiq në vitin 1954 në moshën 47 vjeç, përjetoi gjatë jetës së saj dhimbje dhe sëmundje të vazhdueshme, duke përfshirë poliomielitin dhe pasojat e një aksidenti të rëndë automobilistik në vitin 1925, elemente që u reflektuan shpesh në punën e saj artistike./KultPlus.com