Gjermania heq embargon për eksportet e armëve në Izrael

Gjermania do të heqë embargon e saj të pjesshme për eksportet e armëve në Izrael që nga 24 nëntori, tha sot zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Kornelius.

Armëpushimi midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas, në fuqi që nga 10 tetori, është një arsye kryesore për heqjen e ndalimit.

Kornelius tha se armëpushimi ishte stabilizuar gjatë javëve të fundit.

Zëdhënësi përmendi gjithashtu përpjekjet për të arritur një paqe të qëndrueshme dhe rritjen e ndihmës humanitare në Rripin e Gazës.

“Qeveria gjermane është e vendosur të shqyrtojë çdo rast, individualisht, dhe t’i përgjigjet zhvillimeve të mëtejshme kur bëhet fjalë për eksportet e armëve”, tha ai.

Në fillim të gushtit, kancelari gjerman Friedrich Merz njoftoi pezullimin e eksporteve të armëve në Izrael që mund të përdoreshin në Rripin e Gazës deri në një njoftim të mëtejshëm, duke shënuar një ndryshim të madh në politikën e jashtme gjermane.

Vendimi erdhi disa orë pas vendimit të qeverisë izraelite për të zgjeruar operacionet ushtarake në territorin bregdetar.

Kjo përfaqësonte një tërheqje të Berlinit, i cili ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Izraelit që nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj komuniteteve izraelite nga terroristët e Hamasit. /ATSH-DPA/

Read Previous

OEK reagon pasi fitoi betejën ligjore ndaj ZRRE

Read Next

Formula 1 | Lewis Hamilton: Shpresojmë që në Las Vegas të rikthehemi aty ku dëshirojmë