Në lëvizjen MAGA po fryn një erë përçarjeje, madje me nuanca të një “lufte civile” të brendshme. Dhe jo vetëm për shkak të përplasjes së papritur publike mes Donald Trump dhe kongresmenes Marjorie Taylor Greene, dikur një nga mbrojtëset më të zjarrta të tij.
La Repubblica shkruan se kriza e shkaktuar nga çështja Epstein ka nxjerrë në pah pakënaqësi të thella dhe të larmishme, që shkojnë nga vëmendja e tepruar e presidentit ndaj politikës së jashtme, deri te darkat me të mëdhenjtë e Wall Street-it dhe Silicon Valley-t, si të mos ekzistonte më populli sovran që i dha dy herë fitoren në zgjedhje.
Sipas Daily Beast, pakënaqësia ka arritur në atë pikë sa zëra të ashpër kërkojnë shkarkimin e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, e njohur si “zonja e akullt”, e cila kishte drejtuar fushatën presidenciale bashkë me Chris LaCivita dhe më pas ishte bërë mbikëqyrësja e besueshme dhe e disiplinuar e Zyrës Ovale.
Trump reagoi ndaj publikimit të email-eve për Epstein me një manovër të zakonshme për të zhvendosur vëmendjen: urdhëroi ministren e Drejtësisë Pam Bondi të hetojë demokratët, duke filluar nga ish-presidenti Bill Clinton, si dhe bankën JP Morgan, e akuzuar për mbështetje financiare ndaj financierit të dënuar për krime seksuale.
Bondi iu bind menjëherë. Guvernatori i Illinois-it, J. B. Pritzker, madje sugjeroi se lëvizja e radhës mund të jetë një luftë në Venezuelë, për të ndryshuar titujt kryesorë të lajmeve.
Megjithatë, këto kundërmasa nuk kanë mjaftuar për të larguar vëmendjen nga Epstein, sepse gjatë fushatës elektorale Trump kishte premtuar publikimin e të gjitha dokumenteve, ku mbështetësit e MAGA-s besonin se do të gjenin prova të korrupsionit të elitës, veçanërisht asaj demokrate. Një nga figurat më të zëshme të teorive konspirative të stilit QAnon, si ajo që Hillary Clinton “pinte gjakun e fëmijëve për të qëndruar e re”, ishte pikërisht Greene. Por muajt e fundit ajo ka ndryshuar qëndrim, aq sa të premten Trump i hoqi mbështetjen, duke e quajtur “e çuditshme. Di vetëm të ankohet. Thotë që nuk i përgjigjem më në telefon, por nuk mund të dëgjoj çdo ditë broçkullat e një të çmendure.”
Greene, ndoshta e zhgënjyer nga mungesa e mbështetjes për kandidaturën e saj senatoriale, u përgjigj: “E kam mbështetur Trump-in duke i dhënë shumë nga koha dhe paratë e mia, por nuk e adhuroj dhe nuk i shërbej.” Ajo shtoi: “Është tronditëse sa shumë po lufton për të bllokuar publikimin e dosjeve të Epstein, duke u ulur në këtë nivel.” Më pas denoncoi se kishte marrë “një vërshim kërcënimesh” që “po nxisen dhe ushqehen nga njeriu më i fuqishëm në botë”.
Greene nuk është e vetme. Ish-figura të tjera të lëvizjes MAGA si Nick Fuentes dhe Tucker Carlson janë kthyer kundër Trump-it, ndërsa kongresmeni republikan Thomas Massie ka bashkëfirmosur peticionin që do të votohet javën e ardhshme në Dhomën e Përfaqësuesve, për publikimin e të gjitha dokumenteve të çështjes Epstein. Shtëpia e Bardhë frikësohet nga një rebelim i mundshëm i deri në 100 republikanëve që mund të votojnë kundër vullnetit të Trump-it. /tvklan.al