Michelle Obama thotë se SHBA-të nuk janë gati për një presidente grua

Ish-zonja e parë Michelle Obama tha se SHBA-së ende i mungon pjekuria për të zgjedhur një presidente femër, duke deklaruar se amerikanët “nuk janë gati për një grua” në Zyrën Ovale.

Komentet e saj erdhën gjatë një bisede më 5 nëntor me aktoren Tracee Ellis Ross në Akademinë e Muzikës në Bruklin, një diskutim i lidhur me librin e saj të ri “The Look”. Një video e ngjarjes u postua në kanalin e Obamës në YouTube të premten, raportoi The Washington Post.

“Mos më shikoni fare për kandidimin, sepse të gjithë po gënjeni. Nuk jeni gati për një grua. Nuk jeni. Prandaj mos më humbni kohën”, tha Obama, duke iu përgjigjur spekulimeve të vazhdueshme se ajo mund të marrë në konsideratë një kandidaturë për Shtëpinë e Bardhë pavarësisht refuzimeve të saj të përsëritura.

Ajo shtoi se “fatkeqësisht, ka ende shumë burra që nuk mendojnë se mund të udhëhiqen nga një grua”, duke përmendur zgjedhjet e kaluara si provë.

Obama mbetet një nga zërat më me ndikim të Partisë Demokratike, duke bërë shpesh fushatë në ciklet e fundit.

Ajo kishte mbështetur ish-nënpresidenten Kamala Harris në garën presidenciale të vitit të kaluar dhe i kishte nxitur votuesit meshkuj të merrnin në konsideratë implikimet e një presidence të dytë të Donald Trump mbi të drejtat riprodhuese, shkruan AA.

«Djema… përpara se të votoni, pyeteni veten, në cilën anë të historisë doni të jeni?» tha ajo në atë kohë./kp

Read Previous

Amir Rrahmani shumë afër vazhdimit të kontratës me kampionin në fuqi të Italisë

Read Next

Çfarë përfiton Kosova nga anëtarësimi në Komitetin Ekonomik dhe Social Evropian?