Durkee: Thaçi u identifikua vetëm si udhëheqës i Drejtorisë Politike

Dëshmitari Michael Durkee tha se Hashim Thaçin kur e kishte takuar në Mons të Belgjikës, ky i fundit ishte identifikuar vetëm si udhëheqës i Drejtorisë Politike të UÇK-së dhe jo si komandant.

“Nuk mendoj. Në kohën kur jemi takuar me Thaçin ne Mons, nuk besoj që ai ishte identifikuar si një person udhëheqës apo komandant i Shtabit të Përgjithshëm. Ai ishte identifikuar si një udhëheqës dhe po citoj: i Drejtorisë Politike të UÇK-së. Do të ishe e ndarë natyrisht nga Shtabi i Përgjithshëm”, tha Durkee duke u përgjigjur në pyetjet e prokurores Silvia D’Ascoli.

Ai tha se edhe para Rambujesë e njihte vetëm si të tillë Thaçin. Kjo për shkak të raportimeve publike.

“Mendoj që ai ishte identifikuar në raportime publike si udhëheqësi i të ashtuquajturës Drejtori Politike e UÇK-së”, deklaroi ai.

Durkee tha se vetëm kaq dinte për Thaçin. Madje, ai shtoi se nuk e dinte se kush ishin themeluesit e UÇK-së.

“Nuk mendoj që në atë kohë kishim njohuri të shumta dhe informacione lidhur me zhvillimin e UÇK-së dhe kjo deri në vitin 1998 deri në fillim të 1999-ës”, tha ai tutje.

Dëshmitari Durkee u pyet nga prokurorja se a e dinte nëse Thaçi ishte njëri prej anëtarëve të parë të Shtabit të UÇK-së.

Ai tha se nuk ka njohuri konkrete edhe për përfshirjen e Thaçit në furnizim me armë ose në ngjarjen e Bardhit të Madh në korrik të 1998-ës.

“Nuk kam njohuri se çfarë mund të ketë bërë ai në ’98-ën”, tha ai.

Ai tha se ka dijeni që lëshoheshin komunikata, por nuk e di për ndonjë raport që është lëshuar nga zonat operative të UÇK-së t’i drejtohej dikujt në Shtab të Përgjithshëm.

Ai mohoi se ka dijeni për vizita të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së nëpër zonat operative.

“Ne kishim njohuri të kufizuara dhe të përgjithshme në lidhje me atë se çfarë po ndodhte në nivelin e zonave operative sepse secila prej tyre ishte zhvilluar në mënyrë individuale bazuar në interesat dhe kapacitetet e njerëzve që jetojnë në ato zona. Ata fillimisht ishin organizuar si roje fshati dhe më pas ishin zhvilluar në forca të organizuara ushtarake”, tha ai.

Durkee theksoi se nuk di edhe për transferimet që mund të kenë ndodhur nga një zonë në zonën tjetër.

Për disa pyetje të cilat përmbajnë informacion konfidencial, seanca kaloi në sesion privat për publikun. Vlen të theksohet se mbrojtja e Krasniqit pati shumë pak pyetje për këtë dëshmitar.

Durkee: Thaçi s’kishte autoritet ta ndalonte dhunën

(Përditësuar, ora 10:29)- Michael Durkee në Hagë ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka pasur autoritetin dhe kompetencën për ta ndaluar dhunën e cila u zhvillua në verën e viti 1999.

“Nuk kishte kompetencë, nuk kishte autoritet Hashim Thaçi ta bërë këtë gjë atëkohë”, tha Durkee, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ai tha se këtë e bazon për faktin se kur UÇK-ja e mori përsipër demilitarizimin, po bëhej përpjekje që të realizohej kjo.

Por, dëshmitari tha se kjo e bëri të kuptojë se e gjitha bazohej në nivele lokale dhe nuk kishte asnjë strukturë komanduese që Thaçi mund të përdorte për të ndaluar dhunën.

“Nuk ekzistonte absolutisht asnjë strukturë komanduese që ai mund të përdorte për të ndaluar dhunën”, tha Durkee.

Durkee tha se ata kishin përshtypje se në Kosovë nuk kishte një strukturë të konsoliduar të komandës që të jepnin urdhra që të mos kryheshin veprime të caktuara në terren.

“Ne kishim këtë përshtypje që nuk kishte një strukturë solide ose të konsoliduar komandës që dikush të ishte në nivel të lartë në Prishtinë dhe të jepte urdhra të cilat më pas do të çonin në veprime ose në operacione të caktuara në terren nëpër zona operative. Komandantët e zonave operative kishin autonomi të konsiderueshme dhe ekzistonte vullneti i tyre për të vepruar me kokën e tyre kur ata e mendonin të përshtatshme”, tha Durkee.

Kjo nuk ishte në Kosovë ashtu siç është zakonisht në ushtritë perëndimore, sipas Durkee.

“Domethënë nuk kishte një zinxhir të konsoliduar komande në kuptimin e koordinimit të drejtpërdrejtë të komandës siç domethënë në ushtrinë perëndimore”, deklaroi ai.

Durkee pohoi se ishte Hashim Thaçi njëri prej personave që thoshte se duhej të krijohej një Kosovë multietnike.

Ai pohoi se Thaçi ka bërë një fjalim më 1999-ën duke bërë thirrje që të ndalohej dhuna.

Me kaq përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Krasniqit pasi ajo e Veselit dhe Selimit nuk patën pyetje.

Durkee për dhunën e 1999-ës: Hakmarrje, kosovarët ndiheshin të tradhtuar nga personat me të cilët ishin rritur bashkë
Ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee edhe sot po vazhdon dëshminë në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Durkee i cili e filloi dëshminë të mërkurën më 12 nëntor, po vazhdon të merret në pyetje nga mbrojtja e Hashim Thaçit e përfaqësuar nga avokatja Nina Tavakoli, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Durkee tha se gjatë konfliktit në Kosovë, të përfshirë ishin edhe paramilitarë nga popullata serbe. Sipas tij, shumë banorë lokalë jepnin informacione për Ministrinë e Punëve të Brendshme se ku duhet të përqendroheshin ata.

“Nëse shikojmë se çfarë ka ndodhur në pranverën e vitit 1999 dhe veprimtaritë nuk kishin të bënin thjesht me kontrollin e Qeverisë serbe por gjithashtu edhe me grupe paramilitare të cilat ishin zhvilluar në popullsinë serbe në Kosovë. Në shumë vende, këta banorë serbë lokalë, po i jepnin informacion sa i takon se ku duhet të përqendroheshin forcat serbe”, tha Durkee.

Durkee deklaroi se shqiptarët e Kosovës e panë me sytë e vet se si po trajtohen nga këta persona dhe u ndjenë të tradhtuar nga ata që ishin rritur bashkë.

“Kjo është diçka që është dirigjuar kryesisht nga Ministria e Punëve të Brendshme. Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës po shikonin me sytë e vet që po trajtoheshin në këtë mënyrë nga persona të cilët jetonin në rrethana të ngjashme në ato fshatra e qyteza, besoj që është e kuptueshme se ata më pas kishin dëshirë për hakmarrje sepse ndjeheshin se ishin tradhtuar dhe viktimizuar nga persona që ishin rritur bashkë me ata”, tha Durkee.

Michael Durkee theksoi se kjo ishte një luftë civile brutale gjatë kësaj periudhe kohore.

“Luftërat civile janë brutale. Edhe në këtë rast ishte një luftë civile brutale në atë nivel”, u shpreh Durkee.

Mbrojtja e Thaçit ka bërë një kërkesë në lidhje me dëshminë e dëshmitarit të tyre 1DW-005 Po ashtu, për të njëjtin dëshmitar kishte parashtruar një kërkesë edhe Prokuroria.

Që prej kohës kur janë parashtruar këto kërkesa, mbrojtja e Thaçit e kishte informuar trupin gjykues se nuk do të mbështetet në dëshminë e këtij dëshmitari.

Trupi gjykues i kryesuar nga Charles Smith III tha se të gjitha këto parashtrime janë të tejkaluara.

Po ashtu, edhe për disa dokumente u mor vendim që të zëvendësohen me dokumentet e rishikuara për përkthim.

Mbrojtja ka filluar me paraqitjen e provave të saj më 15 shtator 2025, ku për tri ditë me radhë u dëgjua ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të shtetit, James Rubin.

Ndërsa, pas tij u thirr ish-këshilltari ligjor i delegacionit shqiptar në Rambuje, Paul Williams. Kurse, ish-këshilltari politik i komandantit të lartë të NATO-s, Wesley Clark, John Stewart Duncan filloi dëshminë më 22 shtator dhe e mbaroi më 23 shtator 2025.

Kurse, më 30 shtator nisi dëshminë James Peter Covey, ish-zëvendës i përfaqësuesit të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner. Covey e përfundoi dëshminë më 2 tetor.

Më pas, ish-diplomati amerikan Christopher Hill filloi dëshminë më 10 nëntor 2025 dhe vazhdoi edhe më 11 nëntor 2025 dhe 12 nëntor 2025.

DhSK-ja ka bërë të ditur se 14 nëntori 2025 është caktuar si datë për përfundimin e çështjes së mbrojtjes në këtë rast, kurse parashtresat përfundimtare të procesit dhe deklaratat mbi ndikimin e krimeve të pretenduara tek viktimave që marrin pjesë në procedurë planifikohen të paraqiten deri më 22 dhjetor 2025.

Ndërkohë, më 15 prill 2025, Prokuroria ka njoftuar se ka përfunduar paraqitjen e provave në këtë rast.

Ndërsa, mbrojtja kishte bërë kërkesë sipas Rregullës 130, e cila parasheh kërkesën për rrëzimin e ndonjë akuze apo akuzave në tërësi në aktakuzë. Vendimi mbi këtë kërkesë ishte marrë më 16 korrik 2025. Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ajo që kishte kërkuar mbrojtja ishte mosmbështetja në pretendime për krime lufte që kanë të bëjnë me incidente që kanë ndodhur para majit të 1998-ës dhe pas 20 qershorit të 1999-ës.

“Trupi gjykues vëren se incidentet dhe ngjarjet që kanë ndodhur në kohën që kundërshtohen prej mbrojtjes nuk janë akuza brenda kuptimit të Rregullës 130”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

Si rrjedhojë, ishte rrëzuar ky mocion me arsyetimin se trupi gjykues s’e ka autoritetin për të rrëzuar materiale që përbëjnë akuzat që kanë të bëjnë me shkaqe kohore. Ndërsa, po të njëjtën ditë, mbrojtja e viktimave kishte paraqitur provat e veta duke thirrur dy dëshmitare eksperte për të dëshmuar njëkohësisht.

Përveç që dëshmuan më 16 korrik 2025, dëshmia e këtyre dy dëshmitareve vazhdoi edhe më 17 korrik 2025, duke përfunduar kështu edhe marrja e dëshmive të dëshmitarëve të mbrojtjes së viktimave.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Read Previous

Rrustem Mustafa: Gjykata Speciale, një padrejtësi e madhe e porositur kundër vetë çlirimit të Kosovës

Read Next

Bajrami: Pacientët e hemodializës pa materiale