Ushtarët e Forcës së NATO në Kosovë (KFOR) – amerikanë, turq, gjermanë, polakë dhe letonezë – kanë zhvilluar aktivitete ajrore në pjesën veriore të vendit, në kuadër të stërvitjeve të për ngritjen e aftësive ndërvepruese dhe gatishmërisë operacionale.
“Nën mbështetjen e njësive ajrore, operacionet e zhvilluara ditën dhe natën u lejojnë patrullave të arrijnë në zona kyçe përgjatë vijës administrative, duke forcuar ndërveprimin, koordinimin dhe gatishmërinë operacionale të forcave të KFOR-it”.
KFOR-i ka theksuar se aktivitete të tilla janë thelbësore për ruajtjen e kohezionit dhe gatishmërisë së njësive operacionale, duke garantuar që misioni të rrisë efikasitetin në mbështetjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët në Kosovë.
Misioni i NATO-s ka përsëritur se vazhdon të zbatojë mandatin e tij në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, duke kontribuar në ruajtjen e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.