Anulohen seancat e tetorit ndaj ish-krerëve të UÇK-së, gjykimi rifillon më 3 nëntor

Gjykata Speciale ka njoftuar se seancat e planifikuara për t’u mbajtur ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë javës së ardhshme janë anuluar.

Sipas njoftimit, seancat pritet të rifillojnë më 3 nëntor, ndërsa seancat shtesë janë caktuar për periudhën 17–20 nëntor.

Më 2 tetor, James Peter Covey, ish-zëvendës dhe ish-përfaqësues i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, përfundoi dëshminë e tij treditore në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në rastin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Si dëshmitar i mbrojtjes, ish-diplomati foli gjerësisht për strukturën e UÇK-së, rolin e Hashim Thaçit, marrëdhëniet mes komandantëve, krimet e pretenduara të pasluftës dhe tensionet ndëretnike në Kosovë.

Po ashtu, dëshmitë e dy amerikanëve, James Rubin dhe Paul Williams, të thirrur po ashtu nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së, kanë ofruar perspektiva të reja mbi kontekstin ndërkombëtar, duke sjellë informacione të rëndësishme që mbrojtja synon t’i përdorë për të sfiduar disa nga akuzat në këtë proces.

Dëshmitë e ish-zyrtarëve të lartë të periudhës së luftës në Kosovë mund të jenë element përcaktues për të vërtetën e luftës çlirimtare të UÇK-së, duke sfiduar narrativën e Prokurorisë së Specializuar se UÇK-ja ka pasur një strukturë qendrore të konsoliduar që, sipas saj, ka urdhëruar vrasjen e civilëve gjatë luftës në Kosovë.

Katër ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, ndërsa qëndrimi i tyre pesëvjeçar në Hagë është cilësuar si shkelje e të drejtave të njeriut. Për këtë arsye, së fundmi është zhvilluar edhe një protestë në Hagë.

Read Previous

Rihapet muzeu i Luvrit dy ditë pas grabitjes rreth 90 milionë euroshe

Read Next

Kosova ofron të bëhet shteti i parë që pranon kërkuesit e azilit të refuzuar nga Britania e Madhe