Një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA-ja në Gaza duket se ka kaluar provën e tij të parë. Izraeli dhe Hamasi konfirmuan angazhimin e tyre ndaj marrëveshjes pasi dy ushtarë izraelitë u vranë në enklavë të dielën, duke shkaktuar valë sulmesh ajrore.
Forcat e mbrojtjes izraelite thanë në një deklaratë se do të fillojë zbatimi i marrëveshjes sipas udhëzimeve. Gjithashtu, Hamasi dhe krahu i tij ushtarak, Brigadat Al-Qassam, u shprehën se do të respektojnë armëpushimin dhe refuzuan përfshirjen në sulmin mbi forcat izraelite.
Kjo u përforcua edhe nga një deklaratë e Donald Trump, i cili tha se armëpushimi është ende në fuqi.
“Ka pasur disa të shtëna, mendojmë se udhëheqja nuk është e përfshirë. Mendoj se janë thjesht disa rebelë të grupit, por në çdo rast do të trajtohet siç duhet. Do të trajtohet me forcë”, tha Trump.
Një zyrtar amerikan tha për CNN se administrata është e fokusuar në zbatimin e marrëveshjes së paqes, por nuk zbuloi detaje nga bisedimet diplomatike që janë në vazhdim. Zv/presidenti JD Vance udhëheq një delegacion amerikan në Izrael këtë javë.
Më herët të dielën, Izraeli kreu një sërë sulmesh në Gaza pasi akuzoi Hamasin se ka vrarë dy ushtarë të Forcave të Mbrojtjes Izraelite, përkatësisht major Yaniv Kula dhe general Itay Yavetz. Nga ana tjetër, sulmet izraelite vranë të paktën 44 persona në disa pjesë të Gazës, sipas të dhënave nga autoritetet spitalore atje.