Ministria e Drejtësisë: Projektligji për Specialen kërkon vlerësim të veçantë
Ndaj Sllovenisë në shtëpi dhe ndaj Suedisë në udhëtim, Vedat Muriqi nuk shënoi gol për Kosovën. Përfaqësuesja megjithatë mori katër pikë të mëdha dhe është maksimalisht e motivuar për dy ndeshjet vendimtare të nëntorit.
Muriqi është kthyer te Mallorca dhe të shtunën dha sinjalin e duhur se në “finalet” e Kosovës, me Slloveninë në udhëtim dhe me Zvicrën në shtëpi, do të jetë i duhuri.
31-vjeçari realizoi gol të bukur të shtunën në fitoren 3:1 të Mallorcas në udhëtim ndaj Sevillas. Muriqi shënoi për 1:1 në minutën e 67-të, duke goditur bukur nga zona. Goli i tij hapi rrugën për fitoren e madhe të Mallorcas. Mateo Joseph i realizoi dy golat e fitores.
Ndeshja i takoi xhiros së nëntë të La Ligas, ndërsa për Mallorcan ishte vetëm fitorja e dytë dhe e para në udhëtim. Por fitore shumë e vlefshme që skuadrën e “piratit” e largoi nga zona e rrezikshme.
Tre golat e parë të Muriqit ishin shënuar në ndeshje të humbura. Një e shënoi në disfatën 2:1 nga Real Madridi dhe dy në distafën 3:2 nga Espanyoli. Më pas shënoi për barazimin 1:1 me Atletico Madridin, më 21 shtator. Dhe tani shënoi në fitore.
Ai ka pesë gola në tetë ndeshje. Është bilanc shumë i mirë në krahasim me dy edicionet e kaluara. Në edicionin e kaluar i kishte shtatë gola e dy asistime në 29 paraqitje kampionale. Bilanc plotësisht të njëjtë kishte edhe në kampanjën 2023/2024. Në kampionatin 2022/2023 i realizoi 15 gola e tri asistime në 35 paraqitje, ndërsa për gjysmë kampionati në edicionin 2021/2022 i kishte pesë gola e tri asistime në 16 ndeshje. Tani këtë shifër golash e ka në përgjysmë më pak ndeshje.
“Ne kemi besuar dhe goli i Muriqit ishte pikë kthese në presionin tonë. Për fat e kemi gjetur rrugën tonë. Pas golit të Muriqit kemi lëvizur përpara dhe për fat kjo shkoi në favorin tonë. Kjo nuk ka ndodhur më parë”, ka thënë trajneri i Mallorcas, Jagoba Arrasate.
Prizrenasi tani i ka 40 gola e 11 asistime në 126 paraqitje për Mallorcan. Në La Liga i ka 39 gola e 10 asistime në 117 paraqitje.
Mallorca është shumë e varur nga Muriqi, por Kosova edhe më shumë. Ai është bindshëm golashënuesi më i mirë i përfaqësueses me 32 gola në 64 paraqitje.
Me Fisnik Asllanin e Albion Rrahmanin, Kosova ka opsione tjera shumë të mira në sulm. Por Muriqi mbetet vendimtar. Dhe forma e tij mund të jetë përcaktuese për ndeshjen e 15 nëntorit në Lubjanë dhe 18 nëntorit në Prishtinë. Kosova është në garë për kualifikim në Botëror dhe të paktën për kalim në plejofin e kualifikimeve për ngjarjen globale. Dy xhiro para fundit është e dyta në Grupin B me shtatë pikë, tri më pak se Zvicra. Sllovenia i ka tri pikë, ndërsa Suedia vetëm një. Fituesja e grupit kualifikohet në Botëror, ndërsa e dyta luan në plejof./koha.net