Protesta në mbështetje të UÇK-së, Hysni Gucati: Gjithçka gati, çdo gjë po shkon siç kemi menduar

Kryetari OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se të gjitha përgatitjet janë bërë për protestën e sotme që do të mbahet atje.

Ai bëri të ditur se gjithçka është duke shkuar siç e kanë menduar.

“Të gjitha përgatitjet janë bërë dhe shiu ka nisur të ndalet, kështu që jemi në rrugë të mbarë, çdo gjë është duke shkuar ashtu siç e kemi paramenduar dhe menduar”, u shpreh ai, raporton Klankosova.tv.

Sot Tirana do të jehojë nga thirrjet për drejtësi ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Qindra protestues me flamujt kuqezi dhe flamujt e UÇK-së janë nisur nga Kosova drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës e cila do të nisë në orën 17:00 në Sheshin “Skënderbej”. Protesta organizohet nga veteranët e UÇK-së.

Që në orët e para të mëngjesit në pikën e kalimit kufitar të Morinës kanë hyrë me qindra qytetarë të Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët do të marrin pjesë në protestë. Rruga e Kombit është hapur sot pa pagesë për të lehtësuar qarkullimin, ndërsa bashkitë e Prishtinës dhe Shkodrës kanë mundësuar transport falas për qytetarët.

Për mbarëvajtjen e protestës do të bllokohet për 2 orë qarkullimi tek Bulevardi i Ri, nga ora 17:00 deri rreth orës 19:00, pasi do të parkohen mjetet e protestuesve. 

Prej 3 prilli të vitit 2023, në Gjykatën Speciale në Hagë po zhvillohet procesi kryesor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit Rexhep Selimi, të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza që të katërt i kanë mohuar.

Kujtojmë se protestë në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së u organizua edhe në Prishtinë dhe në Hagë 14 shtator.

Read Previous

“Djali im i mitur u sulmua brutalisht nga një grup të miturish”

Read Next

SHBA-ja thotë se India ka përgjysmuar blerjet e naftës nga Rusia, burimet indiane e mohojnë