Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka thënë se qysh këtë javë do t’i nisë bisedimet për formimin e qeverisë Kurti 3.
Kurti ka thënë se nëse s’ka qeveri Kurti 3, atëherë ka zgjedhje të reja parlamentare.
“Dita e fundit kur do të mund të mbahet seanca ku unë mund ta prezantoj kabinetin qeveritar është 26 tetori, këto ditë jemi të përqendruar në analizën e zgjedhjeve lokale, por shumë shpejt, qysh këtë javë do të fillojmë edhe bisedat për qeverinë qendrore, sepse Kosovës i duhet edhe një mandat i qeverisë sonë. Neve na duhet një mandat i ri në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit…Duhet të kemi një mandat të rregullt i cili padyshim që do të fillojë posa ta nxjerrim në seancë Kuvendi përbërjen e re të qeverisë Kurti 3”, tha Kurti në konferencë për media.
Ai tha se kur bisedimet rezultojnë të suksesshme do të thirret seanca për votimin e qeverisë.
“Nuk do të thotë që seanca do të mbahet më 26, ai është afati i fundit, por në momentin kur ne konsiderojmë që komunikimi dhe bisedat kanë rezultuar të suksesshme, ne pa vonesë nuk e presim 26 tetorin, ai është afati i fundit”, është shprehur Kurti.
Kurti ka thënë se për qeverinë Kurti 3 duhet të bëhen gati edhe të tjerët.
“Nëse s’ka qeveri Kurti 3, padyshim se jemi të gatshëm për zgjedhje të reja parlamentare… Njëherë, plani ynë është për qeverinë Kurti 3. Për këtë po përgatitemi, besoj se për këtë duhet të përgatiten edhe tjerët”, tha ai.
Kurti: Raportimet e exitpollet për Mitrovicën të hetohen, s’bëhet fjalë për huqje por ndërhyrje flagrante
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se raportimet e djeshme për komunën e Mitrovicës së Jugut, lidhur me rezultatet në zgjedhje, do të hetohen.
Sipas tij, në exitpollet e prezantuara dhe në raportimet për fitues para mbylljes së vendvotimeve, nuk bëhet fjalë për huqje por për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor.
Në konferencën për media të mbajtur të hënën, Kurti ka ftuar organet e sigurisë dhe të drejtësisë të merren me këtë çështje.
“Ajo çka ndodhi më 12 tetor rreth raportimeve për Mitrovicën duhet hetuar e hulumtuar. Nuk bëhet fjalë vetëm për huqje, por një inxhiniering të paramenduar, për ndërhyrje flagrante në procesin zgjedhor. Exitpollet e prezantuara gabimisht me 16 pikë të përqindjes dallim e më tepër se aq nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, dhe postimi i lajmeve të rreme se kush ishte fituesi ende pa u mbyllur vendvotimet, nuk janë thjeshtë huqje por ceni i demokracisë, i zgjedhjeve të lira dhe i integritetit e i sigurisë së shtetit tonë. I ftoj organet e sigurisë dhe drejtësisë të merren me këtë çështje”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka thënë se për këtë komunë është propaganduar që nga orët e para të mëngjesit.
“Sa i përket Mitrovicës, prej orës 10:00 është propaganduar maksimalisht se si në komunën jugore të Mitrovicës po fiton kandidati i PDK-së pa balotazh dhe madje me fitore të thellë. Minimalisht për 16 pikë të përqindjes ka pasur huqje. Por, këto huqje kanë qenë të njëjta nga disa burime dhe në të njëjtën kohë. Kjo do të thotë se ka diçka unike sipër tyre, por i përket organeve të drejtësisë dhe sigurisë që ta hetojnë dhe hulumtojnë këtë cenim të integritetit të shtetit, të sigurisë së shtetit përveçse votës së lirë të qytetarëve dhe të zgjedhjeve demokratike”, ka thënë ai.
I pyetur për mundësitë e bashkëpunimit me partitë e tjera në balotazh, Kurti ka thënë se do të bëjnë analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, e më pas të bëjnë plane.
“Do të bëjmë një analizë të hollësishme për rezultatin zgjedhor, Vetëm pas kësaj analize do t’i bëjmë planet dhe përgatitjet e duhura për rrugën përpara”, ka thënë ai.
Ai tutje ka folur edhe për rezultatet preliminare, për çka tha se me votat nga diaspora presin që edhe Gjilani të fitohet pa balotazh nga kjo parti.
“Me votat nga diaspora mund të dalë që e kemi fituar edhe Gjilanin pa balotazh. Jemi në balotazh në 12 nga 17 komuna sa kanë shkuar në balotazh. Rezultatet tregojnë qartë se Lëvizja jonë jo vetëm që ka ruajtur rritjen nga cikli në ciklin tjetër zgjedhor, por është ngritur si forca kryesore politike në republikën e Kosovës edhe në nivelin lokal. Kjo është dhurata më e çmueshme”, ka theksuar ai. /Koha.net/