Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet për vitin 2026 në mungesë të Kuvendit

Kosova ka pesë afate kyçe për miratimin e buxhetit për vitin 2026.

Deri më 30 prill 2025, Qeveria duhej të përfundonte votimin e Kornizës së Shpenzimeve Afatmesme, ndërsa deri më 15 maj duhej të përfundonte Qarkorja Buxhetore. Gjatë shtatorit, do të duhej të mbaheshin dëgjimet buxhetore me organizatat për përcaktimin e linjave buxhetore. Më 31 tetor, Qeveria duhet të votojë Projektligjin për Ndarjet Buxhetore dhe ta dërgojë në Kuvend, ku deri më 1 janar 2026 ligji duhet të miratohet.

Ministria e Financave në një përgjigje për Albanian Post ka bërë të ditur se ky dikaster është duke zhvilluar dëgjimet buxhetore me organizatat buxhetore për projektbuxhetin e vitit 2026.

Në përgjigje thuhet se ky dikaster ka ndërmarrë edhe hapat e nevojshëm ku para lëshimit të qarkores buxhetore janë realizuar analizat përkatëse, janë zhvilluar diskutime me organizatat buxhetore, është mbajtur Komisioni i Granteve për financimin komunal dhe janë zhvilluar konsultime me nivelin komunal.

Aprovimi i Ligjit për Buxhetin, sipas Ministrisë së Financave, pritet të bëhet brenda afateve të përcaktuara me ligj.

Megjithatë në mungesë të Kuvendit të Kosovës, Kosova rrezikon të mbetet pa buxhet për vitin 2026.

Nëse deri më 1 Janar 2026 buxheti nuk aprovohet nga Kuvendi i Kosovës, atëherë aktivizohet financimi i përkohshëm sipas nenit 24 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë.

Sipas financimit të përkohshëm, nëse në 4 muajt e fundit (shtator–dhjetor) ka pasur zgjedhje të përgjithshme, atëherë financimi i përkohshëm bëhet për dy muaj të vitit të ri. Ndahen fonde vetëm sa 2/12 e buxhetit të vitit të kaluar, saktësisht të ndara për çdo organizatë buxhetore aq sa kanë qenë të ndara në vitin e kaluar.

Nëse në 4 muajt e fundit nuk ka pasur zgjedhje, atëherë ndahet vetëm 1/12 pjesë.

Në këtë rast organizatat buxhetore nuk kanë të drejtë të hyjnë në marrëdhënie të reja kontraktuale për shpenzime kapitale. Kryesisht, pra, fondet do të duhet të përdoren për paga dhe shpenzimet nga kontratat ekzistuese.

Ligji për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë nuk parasheh se çfarë ndodh nëse nuk votohet zgjatja e financimit të përkohshëm.

Në një skenar të tillë, Thesari i Ministrisë së Financave nuk do të kishte bazë ligjore për vazhdimin e pagesës së pagave të punëtorëve publikë, nuk do të mund të paguheshin faturat komunale (rryma, uji, mbeturinat) të institucioneve publike.

Nuk do të kishte as pagesa në kontratat e shpenzimeve kapitale dhe nuk do të kishte shpenzime në mallra dhe shërbime, përfshirë naftën për automjetet e Kryeministrit, Presidencës, Kryeparlamentarit, automjetet e policisë, automjetet e FSK-së, zjarrfikësve, ambulancave.

Adem Qorrolli, njohës i çështjeve të ekonomisë, beson se nëse buxheti i Republikës për vitin 2026 nuk miratohet në afatin ligjor, vendi rrezikon të përballet me pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda në funksionimin e institucioneve publike dhe jetën e qytetarëve.

Mungesa e buxhetit të miratuar nënkupton, sipas Qorrolit, se institucionet nuk do të kenë të drejtë të ndajnë mjete për paga dhe shpenzime operative. Kjo do të prekte mësimdhënësit, mjekët dhe personelin shëndetësor, policinë, administratën publike dhe sektorë të tjerë kyç.

Pa buxhet të miratuar, vlerëson Qorroli, edhe projektet kapitale dhe investimet publike të planifikuara për vitin 2026 do të mbeteshin pezull.

“Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik, përmirësimin e infrastrukturës publike dhe krijimin e vendeve të reja të punës, duke ngadalësuar dinamiken zhvillimore të vendit”, thotë ai për Albanian Post.

Mosmiratimi në kohë i buxhetit, beson Qorrolli, dërgon edhe sinjale negative si brenda vendit, ashtu edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

“Një shtet që dështon të miratojë buxhetin perceptohet si institucionalisht i paqëndrueshëm, gjë që dëmton besimin e qytetarëve dhe investitorëve, si dhe mund të ndikojë në marrëdhëniet me donatorët dhe organizatat financiare ndërkombëtare”, shton ai.

Në mungesë të buxhetit, institucionet, sipas Qorrollit, mund të detyrohen të ndërmarrin masa emergjente për mbulimin e shpenzimeve bazike, çka rrit rrezikun e vendimmarrjes jo-transparente dhe keqpërdorimit të fondeve publike.

Për të shmangur përkeqësimin e situatës, hapi i parë, sipas Qorrollit, mbetet formimi sa më i shpejtë i institucioneve – Kuvendit dhe Qeverisë – për të mundësuar miratimin e buxhetit. Paralelisht, Ministria e Financave mund të hartojë një draft paraprak të buxhetit, bazuar në projeksionet ekonomike dhe parametrat aktualë, për t’i shërbyer qeverisë së re si bazë teknike.

“Ligji për menaxhimin e financave publike mund të lejojë përdorimin e një forme të buxhetit të përkohshëm – zakonisht 1/12 e buxhetit të vitit paraprak për çdo muaj – për të mbuluar shpenzimet bazike. Por kjo është zgjidhje emergjente dhe e përkohshme, që nuk zëvendëson buxhetin e plotë vjetor”, thotë ai për AP.

Në të njëjtën linjë të mendimit është edhe drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.

Sipas tij Kosova rrezikon që nga 1 marsi të mbetet jo-funksional nga aspekti financiar.

“Nëse Kuvendi nuk është funksional deri në fund të dhjetorit, institucionet kanë mjete financiare vetëm për janar, nga 1 shkurti nuk ka para për paga. Nëse ka zgjedhje qendrore në katër mujorin e fundit të këtij viti, atëherë ka mjete edhe për muajin shkurt. Në të kundërtën, Kosova nga 1 marsi nuk ka mjete, institucionet buxhetore nuk kanë para as për rroga, as për mallra e shërbime, as për investime kapitale e as për subvencione, pra bllokohet komplet”, thotë ai për Albanian Post.

Read Previous

Kur ndërrohet ora?

Read Next

Realiteti në shpërputhje me statistikat: Shumë gra s’ndihen të sigurta natën në Kosovë