IHMK: Reshjet e hershme të borës me efekt në bujqësi

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka dalë me një njoftim lidhur me reshjet e borës në fillim të tetorit, si një si fenomen i pazakontë klimatologjik për vendin tonë, që sipas këtij instituti përbëjnë një ngjarje me pasoja të shumëfishta në bujqësi.

“Ndërhyrja e hershme e faktorëve dimërorë në periudhën tranzitore të vjeshtës, kur aktivitetet bujqësore janë ende intensive, ndikon drejtpërdrejt në rendimentin dhe cilësinë e prodhimit”, vlerëson IHMK.

Përmes një studimi IHMK trajton efektet negative të borës së hershme mbi pemëtarinë dhe perimkulturën, si dhe aspektet pozitive që lidhen me përgatitjen e tokave për mbjelljen e grurit dimëror, elbi dimëror, thekra (secale), tritiikale (hibrid mes grurit dhe thekrës).

Tutje bëhet e  ditur se reshjet e borës në fillim të tetorit në Kosovë paraqesin një fenomen me dy anë: një kërcënim serioz për pemtarinë dhe perimkulturën, por njëkohësisht edhe një faktor lehtësues për mbjelljet e grurit.

“Nëse menaxhimi agronomik nuk përshtatet me këto ndryshime klimatike, humbjet në kulturat shumëvjeçare dhe njëvjeçare mund të jenë të konsiderueshme. Megjithatë, në aspektin e kulturave arabile, ky fenomen ka potencial pozitiv, duke ofruar një start më të mirë për grurin dimëror”, thuhet në studim.

Prandaj, nënvizon IHMK, nevojitet një qasje më e integruar në vlerësimin e riskut dhe adaptimin e praktikave bujqësore ndaj fenomeneve klimatike ekstreme që po bëhen gjithnjë e më të shpeshta në rajon.

Read Previous

Osmani në Kopenhagë: Siguria e Evropës është e ndërlidhur ngushtë me sigurinë e Ballkanit Perëndimor

Read Next

Ursula von der Leyen viziton Kosovën më 15 tetor