AI hyn fuqishëm në Hollywood, Netflix e përdor në qindra filma
Dëshmitari i katërt, i thirrur nga mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte planifikuar të dëshmojë të hënën, por seanca është anuluar dhe është shtyrë për të martën. Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) të Gjykatës Speciale nuk kanë bërë të ditura arsyet e anulimit të kësaj seance.
Të martën, në Speciale, e ka përfunduar dëshminë ish-këshilltari ligjor i delegacionit të Kosovës, ish-diplomati John Duncan.
Duncan i cili shërbeu si diplomat për 33 vjet dhe mbajti edhe pozitën e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, nisi dëshminë të hënën, duke mohuar të ketë parë ndonjë komunikatë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që përmendte ekzekutime apo likuidime ndaj kolaboracionistëve.
Ducan ishte dëshmitari i tretë i thirrur nga mbrojtja. Para tij kishin dëshmuar ish-ndihmësi i sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe Paul Williams, i cili ishte këshilltar ligjor i delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje në vitin 1999.
Ai e përshkroi UÇK-në si një forcë heterogjene, pa strukturë të qartë hierarkike apo komanduese dhe me motive të ndryshme mes anëtarëve të saj.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Rexhep Selimi, akuzohen nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) për vrasje të pretenduara, torturë dhe trajtim mizor në periudhën 1998–1999.
Në procesin gjyqësor që nisi më 3 prill 2023, katër ish-drejtuesit e UÇK-së u deklaruan të pafajshëm, ndërsa ishin arrestuar nga Specialja në nëntor të vitit 2020.
Më 1 prill 2025 u mbyll faza e prezantimit të dëshmitarëve të ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në këtë rast.