Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë për Kulturë, Rini e Sport, organizuan aktivitetin e radhës “Forumi i Sportit”, në të cilin panelistët diskuan tema të ndryshme, por me fikus te ndikimi i teknologjisë dhe inteligjencës artificiale në sport.
Në këtë forum, përfaqësues të institucioneve dhe ekspertë të fushës ndanë qëndrimet e tyre mbi sfidat dhe mundësitë që sjell zhvillimi teknologjik. U theksua se teknologjia do të ketë ndikim të madh si në jetën e përditshme ashtu edhe në sportin elitar dhe amator, ndërsa sporti u përshkrua si ura më e fortë që lidh njerëzit dhe shoqëritë.
Ibër Alaj nga Ministria e Sportit paralajmëroi se një nga sfidat kryesore për shoqërinë në vitet e ardhshme do të jetë varësia nga pajisjet teknologjike, ndaj kërkoi krijimin e programeve që fëmijët dhe të rinjtë të mbahen aktivë përmes sportit.
“Ne përmes organizatave tona sportive, përmes politikave të cilat në bashkëpunim me Komitetin Olimpik, me federata, me Fakultetin e Edukimit Fizik, përmes pedagogëve tanë të edukimit fizik në shkolla dhe Ministrinë e Arsimit të krijojmë programe shtesë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të fusim në lëvizje në mënyrë që të jenë aktivë gjatë gjithë jetës dhe t’i ikin teknologjisë sepse tani kjo do të jetë një prej sfidave të ekranit sepse pajisjet, do të thotë kemi filluar edhe ne në moshë që të bëhemi të varur nga pajiset teknologjike apo të ekranit. Pra edhe kjo do të jetë një prej sfidave të shoqërive në vazhdim sepse do të varemi prej telefonave dhe Ipad-ave”, tha Alaj.
Nga ana tjetër, eksperti i rrjeteve sociale, Valon Cenhasi vlerësoi se inteligjenca artificiale do të shërbejë për grumbullimin dhe përpunimin e shpejtë të të dhënave në sport, duke mundësuar vendimmarrje më të saktë.
“Me inteligjencë artificiale do të bëhet e mundur që në nivel të Kosovës ju si komitet mund t’i dini të gjitha të dhënat e secili përdorues dhe t’i përpunoni shumëfish më shpejtë dhe të merrni vendim bazuar në këto të dhëna. Pra, të mos thuhet ‘po me duket që jemi të mirë në këtë’, por tani ajo e bën më të shpejtë vendimmarrjen dhe më të saktë ose më të saktën që ka qenë në histori”, deklaroi Cenhasaj.
Metin Qestaj nga Komiteti Olimpik i Kosovës theksoi se teknologjia po ndikon në të gjitha nivelet e sportit, duke sjellë drejtësi më të madhe në gara dhe përmirësime të jashtëzakonshme kur përdoret në mënyrë pozitive.
“Teknologjia nuk ndikon vetëm në sportet elitare mirëpo ndikon edhe në sportin amater edhe në sportin për të rinjtë. Por, çfarë efekti ka? Në sportin elitar e dimë që një përmirësim i vogël e ka një pasojë shumë të madhe, në sportet elitare, sportistët me një përmirësim të vogël e thejnë një rekord botëror, e fitojnë një garë olimpike, botërore, një kampionat evropian…Zhvillimi i teknologjisë besoj që nëse përdoret për të mirë atëherë sigurisht që do të ketë një zhvillim të të jashtëzakonshëm në sport. Për shembull e kemi VAR-in, zhvillimi i teknologjisë tani me VAR është një lloj drejtësie më e madhe edhe barazie në lojë”, tha Qestaj.
Por, përkundër ndikimeve të teknologjië, Presidenti i Komitetit Olimoik të Kosovës, Ismet Krasniqi, e cilësoi sportin si urën më të fortë që lidh njerëzit dhe Evropën, duke e konsideruar atë garanci për një shoqëri të shëndetshme dhe aktive.
“Sporti është ura më e fortë që na lidh me njëri-tjetrin dhe me Evropën dhe është garancia më e madhe për një shoqëri të shëndetshme dhe aktive. Jam krenar që Kosovës, përmes Komitetit Olimpik të Kosovës dhe federatave sportive po dëshmojmë se është pjesë e trendëve ndërkombëtare përkushtimi i të gjithëve është që çdo vit ta rrisim më shumë këtë pjesëmarrje që sporti të bëhet pjesë e përditshme e çdo qytetari të Kosovës”, theksoi Krasniqi.
Në këtë formum u diskutua edhe për temën Sporti dhe rekreacioni si shtytës i tranzicionit të gjelbër: Rrugë të qëndrueshme për një stil jete të shëndetshme. /KosovaPress/