Danimarka ka shpallur gjendje të lartë gatishmërie pas dyshimeve për sulme me dronë, duke çuar në mbylljen e Aeroportit të Aalborgut, përfshirë tri aeroporte të vogla në vend. Autoritetet në Kopenhagë kanë shprehur dyshime për përfshirjen e Rusisë dhe kanë kontaktuar Alencën e Atlantikut të Veriut (NATO) dhe Bashkimin Evropian (BE).
Policia e Danimarkës e përshkroi incidentin si “sulmin më serioz” ndaj infrastrukturës kritike, duke e lidhur këtë me një sërë shkeljesh të dyshuara të hapësirës ajrore nga dronë rusë dhe pengesa të tjera nëpër Evropë, por pa dhënë prova konkrete.
Ngjarjet e fundit në Danimarkë pasqyrojnë një model më të gjerë të aktiviteteve ruse që synojnë “testimin” e reagimit të aleatëve, përfshirë depërtimin e dronëve të Rusisë në Poloni dhe Rumani, hyrjen e avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore të Estonisë, si dhe sulme kibernetike ndaj aeroporteve kryesore në Londër, Berlin dhe Bruksel.
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ndaloi së fundmi fluturimet mbi zonën operacionale të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), për të mbrojtur objektet dhe asetet që konsiderohen pjesë e infrastrukturës kritike. Ky akt tregon drojën në rritje të aleatëve për sigurinë e objektivave strategjike në rajon përballë provokimeve ruse.
Gjithashtu, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, theksoi të mërkurën se Serbia së fundmi ka shkelur hapësirën ajrore të Kosovës përmes dronëve, duke vënë në dukje drojën në rritje për aktivitete të mundshme destabilizuese.