Gaza dhe plani amerikan për lindjen e mesme

Më shumë se 80 palestinezë janë vrarë vetëm të mërkurën në Rripin e Gazës nga ofensiva izraelite e cila me tanke e mjete tjera të rënda po përparon drejt qendrës së qytetit. Ndërsa në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, presidenti amerikan Donald Trump, përfaqësuesve arab u ka prezantuar një plan paqeje me 21 pika për rajonin.

Më shumë se 80 palestinezë janë vrarë përgjatë Rripit të Gazës vetëm të mërkurën nga forcat izraelite, shumica prej tyre në Qytetin e Gazës, kanë raportuar burime spitalore lokale.

Në mesin e 20 të vrarëve në një rast ishin edhe gra e fëmijë, si pasojë e një sulmi ajror mbi një objekt dhe disa tenda ku strehoheshin të zhvendosurit pranë tregut Firas, në lagjen Daraj të Qytetit të Gazës.

Ushtria izraelite ka thënë se cak i sulmit ishin dy luftëtarë të Hamasit, duke shtuar se numri i viktimave të raportuar nuk përputhet me të dhënat e tyre.

Ndërkohë, trupat izraelite të mbështetura nga tanke dhe mjete të tjera të rënda luftarake po vazhdojnë përparimin drejt qendrës së Qytetit të Gazës, të cilin ushtria e konsideron bastion të Hamasit.

Sipas ushtrisë izraelite, ofensiva tokësore ka për qëllim lirimin e pengjeve që ende mbahen nga Hamasi dhe sigurimin e një disfate vendimtare për grupin e armatosur palestinez.

Në një zhvillim tjetër, i dërguari i posaçëm amerikan Steve Witkoff ka deklaruar se presidenti Donald Trump, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, u ka prezantuar një grupi arab dhe mysliman një plan paqeje me 21 pika për Lindjen e Mesme dhe Gazën.

Witkoff nuk ka dhënë detaje mbi përmbajtjen e planit, por ka theksuar se ai adreson si shqetësimet izraelite, ashtu edhe ato të fqinjëve të rajonit.

Read Previous

Rihapen aeroportet në Danimarkë pas pengesave nga dronë të paidentifikuar

Read Next

​Nis punimet Kongresi i parë i përbashkët klinik i kirurgëve shqiptarë