Presidentja Vjosa Osmani ka takuar përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në New York.
Në takim Osmani ia ritheksuar kryediplomates evropiane domosdoshmërinë për heqjen e masave të padrejta të bllokut ndaj Kosovës.
“Në New York, takova përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Kaja Kallas, me të cilën diskutuam mbi zhvillimet e fundit në Kosovë dhe në rajon. Integrimi i Kosovës në BE mbetet ndër prioritetet tona kryesore shtetërore. Në këtë frymë, ritheksova domosdoshmërinë e heqjes së masave të padrejta të BE-së ndaj Kosovës, të cilat po i dëmtojnë të gjithë qytetarët tanë, pa përjashtim”, ka shkruar Osmani.
Presidentja tutje ka shkruar se Kosova mbetet e vendosur për paqe dhe stabilitet afatgjatë.
Osmani e Kallas u takuan gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kosova është nën masat e BE-së për më shumë se dy vjet. /Reporteri.net/