Kanadaja: TikTok-u nuk ka mbrojtje të duhur për të dhënat e fëmijëve

Creator: Dan Kitwood | Credit: Getty Images

Përpjekjet e TikTok-ut që t’ua ndalojë fëmijëve përdorimin e aplikacionit dhe që të mbrojë të dhënat e tyre personale nuk kanë qenë të duhura, ka treguar një hetim i kryer nga autoritetet e Kanadasë, raporton BBC.

Qindra mija fëmijë në vend përdorin çdo vit TikTok-un pavarësisht se kompania thekson se nuk ka për qëllim të lejojë fëmijët nën 13 vjeç, thuhet në të dhënat e hetimit kanadez.

Hetimi ka treguar gjithashtu se TikTok-u ka mbledhur informacione të ndjeshme personale prej “një numri të madh” të fëmijëve kanadezë dhe se i ka përdorur ato për marketing online dhe përmbajtje shënjestruese.

TikTok-u i ka thënë BBC-së se do të marrë një numër masash me qëllim që “të fuqizohet platforma për kanadezët”, megjithëse ka vënë në dyshim disa prej të dhënave të hetimit.

Hetimi është kryer prej komisionarit për privatësi të Kanadasë, Philippe Dufresne, dhe zyrtarëve të mbrojtjes së privatësisë.

Në një konferencë për media duke bërë të ditura të dhënat e hetimit, Dufresne ka thënë se platforma e njohur për video të shkurtra  ka mbledhur “një sasi të madhe” të dhënash personale prej përdoruesve, përfshirë fëmijët.

“Këto të dhëna po përdoren për të shënjestruar përmbajtje dhe reklama që t’i shohin përdoruesit, që mund të kenë ndikim të dëmshëm, sidomos në mesin e të rinjve”, ka shtuar ai.

Dufresne ka thënë se si kundërpërgjigje ndaj hetimit, TikTok-u është pajtuar që të avancojë masat që ua ndalojnë fëmijëve përdorimin e platformës dhe që ta bëjë më të qartë sesi mund të përdoren të dhënat.

Në Shtetet e Bashkuara, presidenti Donald Trump po negocion me presidentin kinez, Xi Jinping, për arritjen e një ujdie që operacionet e platformës kineze të merren nën kontroll prej një kompanie amerikane.

Më 2023, stafi që po punonte në Komisionin Europian ishte urdhëruar që ta fshinte aplikacionin e TikTok-ut nga celularët dhe pajisjet kompjuterike të punës.

Komisioni kishte thënë se kështu po merrte masa për “mbrojtjen e të dhënave dhe që të rriste sigurinë kibernetike”. /BBC/Kallxo.com/

Read Previous

​Nisen të gjithë zarfet me fletëvotime për votim jashtë Kosovës

Read Next

​“Veriun i gjallë nuk e lëshoj” kishte thënë Afrim Bunjaku 10 ditë para se të vritej në Banjskë