Profesori i Drejtësisë, Paul Williams, po vazhdon dëshminë në ditën e dytë në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai është pyetur lidhur me arsyet pse Hashim Thaçi u zgjodh si figura kryesore e negociatorit për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Williams tha se procesi për të arritur pavarësinë e Kosovës bëhej përmes tentimeve të ndryshme dhe figurave që karakterizoheshin ndryshe.
“Ideja ishte se ekzistonte dëshira për procesin e pavarësisë së Kosovës dhe kjo çështje kishte shumë shtresa. Rugova ishte pro pavarësisë dhe nuk e hapte gojën nëse nuk ishe dakord për pavarësinë. Kishim punën e Bukoshit, më të nuancuar, që punonte me amerikanët dhe evropianët, ndërkohë që kishim edhe veprimet e aktorëve jo-shtetërorë. Nga ana tjetër, ekzistonte edhe një dimension tjetër i strategjisë për pavarësi”.
Sipas tij, Thaçi ishte një partner i besueshëm.
“Në negociata doje të kishe një UÇK që të tregonte përmes veprimeve, fjalëve dhe angazhimeve të veta se ky person ishte një negociator, një diplomat dhe mund të ishte një partner i besueshëm”.
Ai përmendi edhe raportet e Rugovës me ndërkombëtarët.
“Presidenti Rugova ishte personi i parë për të cilin kam ofruar shërbimet dhe këshillat e mia përmes Bujar Bukoshit. Ai e respektonte dhe admironte çdo bisedë që ndërkombëtarët zhvillonin me të, dhe gjithmonë e përfundonte me dy fjali kryesore pavarësinë dhe mos përdorimin e forcës”.