Policia angazhon kapacitete shtesë për zgjedhjet lokale 2025

Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka bërë bashkë të gjithë vartësit e tij për të diskutuar lidhur me angazhimin e tyre në implementimin e planit policor për “Zgjedhjet lokale 2025” dhe për “Analizën e punës periodike”.

Shefi i policisë u ka thënë atyre se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës.

“Drejtori Hoxha gjatë këtij takimi diskutoi edhe për situatën e përgjithshme të sigurisë, për analizën e punës periodike, për performancën dhe disiplinën në punë, e në veçanti për planin për zgjedhjet lokale, ku potencoi se krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para, gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve, është primare për Policinë e Kosovës”, citohet të ketë thënë Hoxha.

Njëkohësisht, bëhet e ditur se Hoxha si shef policie ka kërkuar nga të gjithë eprorët e lartë policorë që të rritet performanca në punë si dhe të gjitha detyrat dhe angazhimet e parapara me planin policor për zgjedhjet, të realizohen me profesionalizëm dhe me përkushtim të lartë.

“Planifikimi operativ ka paraparë implementimin dhe realizimin e operacionit policor në katër faza, siç është filluar nga periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese, pastaj angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës parazgjedhore, angazhimi dhe garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së zgjedhjeve si dita (Z), si dhe periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së të materialit senzitiv e deri në përfundim të procesit”, bëhet e ditur tutje në njoftim.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se për zgjedhjet lokale do të angazhojë një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, duke treguar se kanë marrë masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces.

“Njëkohësisht nga të pranishmit u diskutua edhe rreth inicimit dhe procedimit të çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrjes së të gjitha masave  procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet e vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj”, thotë Policia e Kosovës.

Kanë thënë mbeten e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme karshi qytetarëve dhe vendit.

Read Previous

​Elon Musk blen aksione të Teslës me vlerë 1 miliard dollarë

Read Next

Vetëvendosje dorëzon në PZAP dy ankesa