Kryeministri polak Tusk: Sulmi me dronë nuk u krye gabimisht

Kryeministri polak Donald Tusk hodhi  sot poshtë  vlerësimin e presidentit amerikan Donald Trump se shkelja e hapësirës ajrore polake nga dronët rusë mund të ketë qenë një gabim.

“Edhe ne do të donim që sulmi me dronë ndaj Polonisë të kishte qenë një gabim. Por nuk ishte. Dhe ne e dimë këtë”, shkroi Tusk në X.

Polonia raportoi se gjatë një sulmi rus ndaj Ukrainës, 19 dronë rusë hynë qëllimisht në hapësirën e saj ajrore. Forcat ajrore polake dhe aleatët e NATO-s i rrëzuan, duke shënuar herën e parë që mjete ajrore ruse u neutralizuan mbi territorin e aleancës.

Trump, i pyetur nga gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, tha se incidenti “mund të ketë qenë një gabim”, por pranoi se ishte “i pakënaqur” me zhvillimet.

Skepticizmi ndaj deklaratës së tij është i fortë. Sipas burimeve të NATO-s, një nga dronët kishte si objektiv një qendër shpërndarjeje ndihmash ushtarake për Ukrainën në aeroportin e Rzeszow, duke përforcuar bindjen se shkelja nuk ishte rastësore.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump është përballur me akuza për qëndrim tepër të butë ndaj Moskës dhe për afërsinë e tij me presidentin rus Vladimir Putin. /ATSH – PAP/

Read Previous

Taulant Balla: Objektivi historik i mandatit të katërt, Shqipëria 2030 anëtare në BE

Read Next

Shefi i ushtrisë gjermane: Do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s