Rama: Muzika do ndalohet në beach bar-e

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja të forta për kontrollin e zhurmës dhe ndalimin e abuzimeve me muzikën në beach bar-e.

Duke iu referuar ankesave të qytetarëve dhe shembujve konkretë, Rama deklaroi se muzika e lartë është kthyer në makthin e pushuesve dhe po dëmtojnë rëndë përvojën turistike në vend, sidomos në zonat e banuara.

“Zona të tëra të banuara, ku 99 për qind e pushuesve nuk janë prezentë në ato beach bare duhet të vuajë ngritjen e muzikës ‘në kupë të qiellit’, kështu që ne do ta ndalojmë muzikën”, tha ai.

Kryeministri njoftoi se do të ketë një ndalim të plotë të muzikës jashtë orarit të lejuar, si dhe një ridimensionim të numrit të beach bar-eve, në bashkëpunim me kryetarët e bashkive.

“Nuk do ketë më muzikë në beach bare, madje do të bëjmë një ridimensionim të numrit të beach bareve me kërkesë të kryebashkiakëve dhe me mënyrën si ato lidhen me shërbimin në tërësi”, vijoi Rama.

Ai theksoi se gjatë orëve të plazhit, muzika do të jetë e lejuar vetëm në nivel të kontrolluar dhe vetëm për klientët e lokalit, jo për të krijuar “jehonë deri në bypass-in e Fierit”.

“Nga beach bar-i në beach bar është si të kalosh gjithë historinë e rock & roll-it, muzika duhet ndaluar plotësisht jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit duhet të jetë për ata që shkojnë te beach bar-i jo te ata që kalojnë bypass-in e Fierit. Kush do të bëjë muzikë me zë të lartë deri në 5 të mëngjesit duhet të ofrojë në territore dhe zona ku nuk është i gjithë qyteti dhe nuk është e gjithë bashkia që duhet të dëgjojë jehonën”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në fjalën e tij, Rama tregoi një rast konkret nga Dhërmiu, ku një grup turistësh japonezë që kishin prenotuar për 10 ditë, u larguan të nesërmen për shkak të zhurmës dhe atmosferës kaotike.

“Në Dhërmi erdhën për herë të parë një grup turistësh japonezë, të cilët u larguan të nesërmen pasi kishin prenotuar dhjetë ditë, të terrorizuar nga muzika”, ravijëzoi kryeministri shqiptar. /Albanianpost.com

Read Previous

Çfarë është Apertus? Modeli zviceran i inteligjencës artificiale

Read Next

QAP në Gjakovë me kapacitete të plota për trajnime profesionale