Ministria e Financave e Banka Botërore me marrëveshje 96 milionëshe
Kombëtarja e Kosovës në futboll i nis ndeshjet kualifikuese në muajin shtator me dy ballafaqime shumë të vështira. “Dardanët” do të zhvillojnë dy ndeshjet e para në Grupin B për kualifikimet e Kupës së Botës 2026 kundër Zvicrës në udhëtim dhe pastaj Suedisë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Analistë e njohës të futbollit konsiderojnë se niveli dhe cilësia e skuadrës së Kosovës është rritur dhe ka optimizëm, por duhet pasur parasysh edhe faktin se rivalët e grupit (Zvicra, Suedia dhe Sllovenia) janë tejet të vështirë për t’i mposhtur.
Trajneri dhe analisti Bylbyl Sokoli thotë për KosovaPress, se Kosova duhet të kërkojë rezultat pozitiv në ndeshjen e parë kundër Zvicrës në mënyrë që pastaj motivimi për ndeshjen ndaj Suedisë në Prishtinë të jetë në nivelin më të lartë.
“Kosova me Zvicrën gjithmonë ka luajtur mirë, sidomos në Zvicër, prandaj unë jam optimist që Kosova do të paraqitet suksesshëm me Zvicrën dhe është shumë me rëndësi që takimi me Zvicrën të tregojë ekipi vetëbesim dhe ky vetëbesimi mandej të sillet në ndeshjet në Prishtinë. Unë jam shumë optimist që Kosova do të luajë mirë kundër Zvicrës sepse si gjithmonë në Zvicër, Kosova ndihet sikur në shtëpi dhe ka treguar lojëra cilësore dhe pikërisht për këtë arsye unë jam shumë optimist në këtë takim Kosova do të del me rezultat të favorshëm dhe prej këtij takimi do të varet shumë edhe ajo pjesa e optimizmit dhe vetëbesimit që në ndeshjen në Prishtinë kundër ekipit tjetër (Suedisë) do të jetë më e suksesshme”, deklaron Sokoli.
Komentatori i sportit, Arbër Loxha, ka kërkuar që të ruhet realizmi përballë rivalëve të grupit, duke theksuar se Kosova është ende në një proces zhvillimi.
“Duke pasur parasysh konkurrencën e grupit që është një nga grupet më të vështira që ka mundur t’i bie Kosovës duhet t’i kemi pritshmëritë reale. Jemi në një stad të zhvillimit por jo në atë që tani t’i mposhtim që në ndeshjet e para Zvicrën dhe Suedinë. Megjithatë, futbolli është një sport interesant, nganjëherë edhe kur nuk je më i miri në botë mund të fitosh por arsyeja kryesore që duhet ta kemi fokusin në ngritje është që lojtarët e rinj te cilët janë rekrutuar dhe ata që kanë filluar të marrin minuta të provohen dhe të shohim se ku mund të luajnë dhe çfarë mund të bëjnë më mirë në mënyrë që pak më vonë brenda viteve të arsshme t’i shohim ata duke performuar në nivelin e lartë”, thekson Loxha
Nga ana tjetër, Kushtrim Krasniqi nga Komiteti Olimpik i Kosovës, ka theksuar se pritshmëritë duhen parë në një plan më afatgjatë, duke i dhënë më shumë rëndësi përgatitjeve për të ardhmen.
“Unë shoh këtu më shumë në aspektin afatgjatë, më shumë kam shpresa për euro 2028 sepse vërtetë është jashtëzakonisht e vështirë që të arrihet ndonjë sukses. Natyrisht ne nuk do të jemi të dorëzuar sepse me të gjitha këto ardhje shpresat tona janë rritur dhe ne do të synojmë që nga çdo ndeshje të marrim pikë, pse jo edhe fitore. Thjeshtë nuk kemi çfarë të humbasim dhe çdo barazim ose fitore do të jetë e vlerësuar nga ne dhe uroj që të përfundoj Kosova pse jo në vendin e parë por duhet t’i kthehemi realitetit dhe të shohim se ku është Zvicra. Zvicra është në një rënie, ky është lajm i mirë, por në anën tjetër Suedia është në ngritje”, thotë Krasniqi.
Fillimisht Kosova luan si mysafire kundër Zvicrës, më 5 shtator në Bazel dhe më pas në “Fadil Vokrri”, kundër Suedisë. Dardanët synojnë të japin maksimumin në këto dy ballafaqime për të nisur mbarë këtë cikël kualifikues. /KosovaPress/