Si do të zhvillohet procesi i votimit nga jashtë Kosovës?

Credit: Shutterstock

Të premten në mesnatë ka përfunduar afati për regjistrimin e shtetasve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit dhe duan të votojnë me postë në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se votimi me postë do të nisë më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor. Ai ka theksuar se, sipas ligjit, në zgjedhjet lokale nuk ka votim në përfaqësitë diplomatike, por vetëm përmes postës.

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë votuesit nuk do të shkarkojnë fletëvotimet nga faqja e KQZ-së, por do t’i pranojnë direkt në adresën që kanë deklaruar gjatë regjistrimit. Çdo votues do të marrë dy fletëvotime: njërën për Kryetar Komune dhe tjetrën për Kuvend Komunal.

“KQZ do të dërgojë me postë pakon me dy fletëvotime për secilin votues të regjistruar. Pastaj, secili prej tyre ka për obligim që fletëvotimet e plotësuara t’i dërgojë në njërën nga kutitë postare të KQZ-së, që do të hapen në shtete të ndryshme të botës dhe në Kosovë”, ka sqaruar Elezi.

Së shpejti KQZ do të publikojë edhe adresat e këtyre kutive postare.

Po ashtu, KQZ ka bërë të ditur se shtetasit e regjistruar për votim nga jashtë vendit do të largohen nga Lista e Votuesve brenda Kosovës, që shpërndahet në vendvotime ditën e zgjedhjeve. Kjo nënkupton se ata nuk mund të votojnë fizikisht në Kosovë. Në anën tjetër, ata që nuk janë regjistruar për të votuar nga jashtë, do ta gjejnë emrin e tyre në listën brenda vendit dhe mund të votojnë në vendvotimet e tyre. /Albanianpost.com

Read Previous

Meta planifikon të lansojë modelin e ri të Inteligjencës Artificiale

Read Next

Luis Figo: Mbappe është i ngjashëm me fenomenin Ronaldo