Berisha: Nuk i njohim zgjedhjet

Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sërish sot se opozita nuk do të njohë zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Pas certifikimit nga Komisioni Rregullator të rezultatit, Berisha i cilësoi zgjedhjet si “farsë elektorale”.

“Përfaqësuesit tanë mbajtjen një qëndrim dinjitoz në komision. Shprehën mendimet, këto ishin një farsë e vërtetë elektorale. Ky është qëndrimi ynë dhe ne e kemi shprehur këtë”, tha Berisha, shkruan ATSH.

Në konferencën për mediet kreu i PD-së gjithashtu i bëri thirrje qeverisë së SHBA-së që të “shtrijë hetimet për Xhorxh Sorosin dhe të birin e tij edhe në Shqipëri gjatë 20 viteve”.

“Të hetojnë politikën e jashtme të Xhorxh Sorosit, e cila në mënyrë absolute përputhej me Beogradin dhe binte ndesh me interesat e shqiptarëve, me politikën e ndjekur zyrtare të SHBA gjer në atë kohë, por dhe me politikën e ndjekur nga presidenti Donald Trump në mandatin e parë”, u shpreh Berisha.

Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se Porti i peshkatarëve në Durrës është përdorur për trafik droge.

Sipas Berishës ky port, i ndërtuar me fonde publike në vlerën e mbi 12 milionë eurove, është dhuruar pa asnjë investim privat dy emrave të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin që sipas dosjeve italiane, kanë lidhje me grupe kriminale dhe trafikun e narkotikëve.

Ai akuzoi se ka kthyer portet shqiptare në qendra të trafikut ndërkombëtar të drogës, duke mbrojtur dhe favorizuar klanet kriminale në dëm të ligjit dhe interesit publik.

Read Previous

Tre deputetë në “lojë” për konstituim të Kuvendit

Read Next

Superkompjuteri me Al ndihmon në zbulimin e vaksinës kundër kancerit