Myrto Uzuni: Shqipëria nuk ka më hapësirë për gabime në rrugën drejt Botërorit

Myrto Uzuni, një nga sulmuesit më produktivë të futbollit shqiptar, i cili aktualisht luan në Shtetet e Bashkuara me skuadrën e Austin FC, ka dhënë një intervistë për FIFA ku ka folur për rrugëtimin e Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Kupës së Botës.

30-vjeçari, i cili ka bërë karrierë në disa kampionate evropiane – nga Shqipëria, Kroacia, Hungaria, Spanja e deri në MLS në SHBA – theksoi se ky është momenti më i rëndësishëm për kuqezinjtë dhe se çdo ndeshje nga shtatori e deri në fund të kualifikuesve është “si një finale”.

“Jemi në vend të dytë, por Serbia ka dy ndeshje më pak. Çdo gabim mund të na kushtojë. Që nga shtatori, tetori e nëntori, çdo ndeshje është finale. Por më e rëndësishmja është ajo ndaj Letonisë. Nëse nuk fitojmë, dalim jashtë. Nuk kemi më hapësirë për gabime”, tha Uzuni.

Shqipëria aktualisht është pas Anglisë në grup, me vetëm një pikë më shumë se Serbia, që ka dy takime të pazhvilluara. Për Uzunin, ndeshja kundër Letonisë në shtator është vendimtare për fatin e Kombëtares.

Ai u ndal edhe te përvoja në ndeshjen hapëse të kualifikueseve kundër Anglisë, ku pavarësisht humbjes 2-0, skuadra tregoi se mund të rivalizojë me çdo ekip: “Kur luan ndaj lojtarëve si Foden, Bellingham apo Kane është e vështirë, por treguam se jemi rritur dhe kemi besim se mund të përballemi me këdo. Nëse sfidon Anglinë, mund të sfidosh këdo tjetër”.

Uzuni rikujtoi me emocion edhe golin e shënuar kundër Andorrës, që erdhi vetëm pak ditë pas sfidës së lodhshme ndaj Anglisë: “Ishte moment i veçantë, sepse kur shënon për vendin tënd, luan për familjen dhe për gjithë shqiptarët”.

Sulmuesi kuqezi vlerësoi lart edhe punën e trajnerit Sylvinho dhe ndihmësit të tij, Pablo Zabaleta: “Sylvinho ka sjellë një grup fantastik. Ai ka luajtur në nivelet më të larta dhe na e transmeton eksperiencën. Zabaleta, me energjinë e tij, na motivon çdo ditë. Të punosh me ta është privilegj”.

Për sulmuesin, ëndrra më e madhe është Botërori, pas dy pjesëmarrjeve të Shqipërisë në Evropian: “Për mua dhe për çdo shqiptar, Botërori është ëndrra. Do të ishte kulmi i karrierës sime dhe një moment historik për vendin. Nëse e arrijmë, Shqipëria do të festojë si kurrë më parë”.

Duke folur për emocionet e himnit kombëtar, Uzuni u shpreh se është gjithmonë një moment unik: “Kur dëgjon himnin dhe sheh gjithë stadiumin duke kënduar, të dridhet trupi. Është ndjenja më e fortë”.

Sa i përket eksperiencës së tij të re në MLS me Austin FC, sulmuesi shprehet i kënaqur: “Jam duke u ndjerë gjithmonë e më mirë. Niveli është duke u rritur dhe tifozët janë fantastikë, këndojnë pa pushim nga minuta e parë deri në të 90-ën. Kjo është një motivim i jashtëzakonshëm’.

Në fund, Uzuni, admirues i madh i Cristiano Ronaldos, nuk e fshehu dëshirën për një përballje me portugezin në një Botëror: “Të luaja kundër tij do të ishte ëndërr, por mbi të gjitha dua të shkojmë si Shqipëri në Botëror. Kjo është më e rëndësishmja, që populli ynë të jetë krenar”. /Albanianpost.com

Read Previous

Jep dorëheqje Liburn Aliu, shkak zgjedhja e Dimal Bashës

Read Next

Koreja e Jugut ndalon përdorimin e telefonit në shkollë