Franca ka thirrur ambasadorin amerikan në Paris, Charles Kushner, pas një letre që ai i dërgoi Presidentit Emmanuel Macron, ku e akuzonte për dështim në përballimin e rritjes së antisemitizmit në vend.
Ministria e Jashtme franceze, përmes një deklarate më 24 gusht, e cilësoi letrën si ndërhyrje të papranueshme në punët e brendshme:
“Franca i hedh poshtë me vendosmëri këto akuza nga Kushner. Akuzat e Kushnerit shkelin të drejtën ndërkombëtare dhe detyrimin për të mos ndërhyrë në punët e brendshme të një vendi tjetër. Ato gjithashtu nuk arrijnë cilësinë e partneritetit transatlantik midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara dhe të besimit që duhet të mbizotërojë midis aleatëve”, thuhet në deklaratë.
Ambasadori është ftuar të paraqitet sot në Ministrinë Franceze për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Nga ana tjetër, Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, deklaroi:
“Ambasadori Kushner është përfaqësuesi ynë i qeverisë amerikane në Francë dhe po bën një punë të shkëlqyer në avancimin e interesave tona kombëtare në atë rol.”
Përplasja diplomatike vjen në një kohë kur Presidenti Macron ka refuzuar akuzat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i cili pretendoi se qëndrimi i Francës për njohjen e një shteti palestinez po nxit antisemitizmin.